Greqia refuzon ftesën: Prekët Prevezën

29/11/2012 01:30

Në listën e miqve, që do të festonin me shqiptarët 100-vjetorin e Pavarësisë, ishte edhe ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos. Por, vendi i Greqisë në gëzimin e Shqipërisë mbeti bosh, pasi në momentin e fundit, ministri i Jashtëm grek anuloi vizitën në Tiranë.

Qëndrimi zyrtar i Athinës për këtë refuzim lidhet me një interpretim, që Ministria e Jashtme greke i ka bërë një deklarate të kryeministrit Sali Berisha, mbrëmjen e 27 nëntorit në Vlorë. Fjalët, që kryeministri Berisha tha, ishin ato që ai shkroi në pergamenën simbolike me rastin e Pavarësisë.

Për qeverinë greke, përmendja e Prevezës si territor shqiptar bie ndesh me klimën e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë midis dy vendeve dhe sic thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke, bie ndesh edhe me klimën e bashkëpunimit ekonomik dhe atë energjitik.

Pavarësisht këtij qëndrimi, në dukje të nxituar të Athinës zyrtare, ajo që kuptohet qartë në deklaratën e kryeministrit Berisha është referimi i tij për vitin 1912, kur fqinjët e Shqipërisë, një prej të cilëve Greqia, e cila me ushtrinë e saj pushtuese kishte ardhur deri pranë Vlorës, në ditën e shpalljes së Pavarësisë, nuk kishte përvetësuar ende brenda kufijve të saj territoret shqiptare.

Vetë kryeministri Berisha reagoi për këtë qëndrim të Athinës zyrtare, nëpërmjet zëdhënëses së tij, e cila theksoi se “deklarata e Kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve të jugut, veriut apo lindjes”.

Lajmi i refuzimit të Greqisë, për të marrë pjesë në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, nuk ka kaluar pa u vënë re nga një tjetër fqinj i Shqipërisë, Italia që, megjithëse dikur pushtuese e Shqipërisë, është shndërruar në avokaten e përhershme të shqiptarëve.

Me të tillë pozicion u shfaq edhe kreu i Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini, i cili, pas festimeve në Tiranë, zhvilloi një bisedë me gazetarët shqiptarë dhe e preku vetë cështjen e shumëdiskutuar së fundmi, atë të bashkimit kombëtar të shqiptarëve në Europën e bashkuar, që ka qenë edhe lajtmotivi i fjalimeve të kryeminsitrit Berisha, gjatë këtij muaji.

“Kryeministri Berisha kishte një fjalim patriotik, në kuptimin e plotë të fjalës. Atdheu është vlerë, por askush nuk mund të lexojë në fjalët, që ai tha, qëllime të tipit nacionalist, në kuptimin negativ të fjalës. Unë besoj se kjo sjellje duhet vlerësuar dhe pala italiane duhet t’ua bëjë të njohur edhe partnerëve të Bashkimit Europian, që të gjykojnë situatën në Shqipëri me qetësi dhe pa asnjë lloj paragjykimi”, tha Fini.

Zoti Fini, dikur ministër i Jashtëm i Italisë, tha se kryeministri Berisha ka vënë në dukje identitetin kombëtar të shqiptarëve, pa rreshkitur në nacionalizma, dhe është pikërisht kjo, që vlerësohet nga partnerët ndërkombëtarë, kur Shqipëria merr nota pozitive për rolin e saj stabilizues dhe të moderuar në rajonin e Ballkanit.

Gianfranco Fini tha se Italia vazhdon ta shohë Shqipërinë si një fqinj të privilegjuar dhe se është në pritje të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë, kur ajo të hapë ngociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Top Channel