Shkelet ligji, borxhi kërcen mbi 60%

30/11/2012 00:00

Kur sapo kanë nisur diskutimet për buxhetin e vitit 2013, Qeveria po
përgatitet të ndryshojë buxhetin e këtij viti, duke rritur sërish
borxhin.

Kriza dhe mosrealizimi i të ardhurave e kanë nxjerrë treguesit e buxhetit 2012 jashtë parametrave ligjorë të miratuar nga Kuvendi. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave për dhjetëmujorin, të ardhurat ishin 19.4 miliardë lekë më të ulëta se sa parashikimi në ligj.

E gjendur përballë kësaj situate Qeveria po përgatit një Akt Normativ për të korrigjuar në ulje shifrat. Top Channel ka mësuar se drafti parashikon shkurtimin si të shpenzimeve ashtu dhe të ardhurave, por jo në të njëjtën masë. Sipas planit, të ardhurat do të shkurtohen 7 miliardë lekë më shumë se shpenzimet dhe Qeveria do të financojë hendekun duke rritur borxhin.

Për pasojë deficiti buxhetor, diferenca mes shpenzimeve dhe të ardhurave zgjerohet nga 41 miliardë lekë që ishte parashikuar në ligj në rreth 48 miliardë lekë. Sipas përllogaritjeve, me këtë rritje të deficitit borxhi publik i Shqipërisë shkon në fund të këtij viti në 61 për qind të Prodhimit Kombëtar, duke kompromentuar që tani edhe kufirin e rritur prej 62.6 për qind të parashikuar për vitin e ardhshëm.

Borxhi pa tavan, vitin tjeter 62.6%
 

Në vitin 2008, Qeveria shqiptare u zotua publikisht përballë Fondit Monetar Ndërkombëtar se brenda 5 vitesh do ta ulte borxhin publik në 50 për qind të Prodhimit Kombëtar. Premtimi nuk u mbajt. Në këto 5 vjet, borxhi jo vetëm nuk u ul, por Qeveria e ka rritur atë mesatarisht me 1.7 pikë përqindje për cdo vit. Për pasojë vitin e ardhshëm borxhi kombëtar shkon sipas vetë qeverisë në në 62.6 për qind e prodhimit. Fondi Monetar dhe Banka Botërore thonë se kjo barrë është 1.5 herë më e rëndë nga ajo që mund të mbajë ekonomia shqiptare, por ky nuk është rreziku i vetëm.

Pikëpyetjet më të mëdha lidhen me të ardhmen. Në qershor të  2008-s, Parlamenti miratoi një rregull fiskal, i cili kushtëzonte mbajtjen e borxhit kombëtar poshtë kufirit 60 për qind. Edhe pse nuk ishte një rregull i fortë, me masa ndëshkimore në raste shkelje, gjatë këtyre viteve ai ka shërbyer si një barrierë edhe psikologjike për të kufizuar Qeverinë ta rrisë borxhin. Por ligji rezistoi vetëm 4 vjet. Kufiri u shkel zyrtarisht këtë vit dhe sapo kjo ndodhi, Qeveria dërgoi në Kuvend një draft që ligjëron shkeljen dhe e lë Shqipërinë pa një tavan të ri borxhi. Ligjërisht tani Qeveria nuk ka më asnjë pengesë të rrisë huamarrjen sipas dëshirës, përveç kufizimeve në buxhet. Por siç kanë treguar dhe vitet e fundit buxheti mbetet ligji më i paqëndrueshem, i cili ndryshohet deri edhe në tre herë brenda vitit.  

Në një vit elektoral rreziqet janë edhe më të mëdha. Buxheti i vitit të ardhshëm ndonëse i shtrënguar është sërish me rreziqe. Si asnjëherë më parë Qeveria ka parashikuar vetëm 800 milionë lekë kontigjenca për të ruajtur stabilitetin makro-ekonomik, 3 deri në katër herë më pak se mesatarja e viteve të fundit.

Në këtë pikë heqja e tavanit të borxhit përbën një precedent të rrezikshëm për financat publike, të cilat spiralja e borxhit po i fut në rrugë të paqëndrueshme duke kërcënuar stabilitetin financiar të vendit. Dhe Qeveria qe do te dale pas zgjedhjeve te vitit tjeter rrezikon shume qe te kete nje mision thuajse te pamundur per te mbajtur nen kontroll financat publike shqiptare.

Top Channel