Berisha, mbledhje Qeverie në Vlorë

01/12/2012 00:00

Mbledhja e radhës së qeverisë do të zhvendoset në Vlorë, në nderim të
veprës së Ismail Qemalit e ministrave të qeverisë së parë shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Integrimit dhe zëdhënësja e
qeverisë Majlinda Bregu, në një konferencë për shtyp. Ministria Bregu
nënvizoi se festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë nuk kanë mbaruar.

“Kujtesa jonë kombëtare na sjell në këtë fillim dhjetori një tjetër ngjarje po aq të rëndësishme sa ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e shtetit shqiptar si i pavarur. “4 dhjetori i 1912-ës është një tjetër ditë e shënuar në historinë e Shqipërisë: është dita e themelimit të qeverisë së parë shqiptare, e qeverisë së parë shqiptare,  pas kohës së Skënderbeut. Në 4 dhjetor 1912,  Kuvendi i Vlorës zgjodhi qeverinë e parë me kryeministër Ismail Qemalin, i cili në atë kohë kishte edhe funksionin e Ministrit të Jashtëm.

Kjo qeveri e re kishte në përbërje të saj 10 ministra, politikanë, aktivistë, njerëz të shquar të lëvizjes politike e patriotike, publicistikës e jetës fetare në Shqipëri. Që nga Zv/kryeministri Dom Nikoll Kaçorri, një personalitet i spikatur i kishës katolike, sekretar i Argjipeshkëvisë së Durrësit; Ministri i Brendshëm, Myfit Libohova, politikan i shquar shqiptar; Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike; Ministri i Drejtësisë, Petro Poga, botues i gazetës “Drita” të Stambollit; Ministri i Bujqësisë Pandeli Çele; Ministri i Financave Abdi Toptani; Ministri i Luftës, Mehmet Pash Dërralla, një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878; Ministri i Punëve  Botore, Mit’hat Frashëri një tjetër figurë e spikatur në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX e deri tek Ministri i Postëtelegrafës, Lef Nosi, nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.

Ndonëse në kushte të vështira, prej politikave të brendshme e të jashtme, të asaj kohe, kjo qeveri mori një sërë masash për ndërtimin e shtetit, për zhvillimin ekonomik e kulturor kombëtar, që do të hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të vendit dhe të shtetit të ri, të pavarur shqiptar. Kjo qeveri mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të vendit”, tha Bregu, duke paralajmëruar më tej se në datën 4 dhjetor 2012, në orën 10.00, qeveria shqiptare, nën drejtimin e kryeministrit  Berisha, do të mbajë mbledhjen e saj të radhës në qytetin e Vlorës.

Top Channel