Në takimin e tretë të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e
Bashkimit Europian, kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë kanë rënë
dakort për nisjen e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar
të kufijve si dhe për emërimet e përfaqësuesëve respektivë për zyrat
ndërlidhëse në kuadër të delgacioneve të BE-së në Prishtinë dhe Beograd

Ndërsa kryeministri Ivica Dacic deklaroi për mediat serbe pas takimit se nuk bëhet fjalë për përfaqësim diplomatik e se Beogradi do të emërojë një zyrtar të administratës, Kryeministri Hashim Thaci u shpreh se për këtë pozicion Kosova do të emërojë ambasadorin më të mirë të republikës.

“Kompromisi ka qënë për hapjen e zyrave ndërlidhëse, ndërsa Kosova do të ketë përfaqësuesin e saj. Unë do të emëroj një prej ambasadorëve më të mirë që ka republika e Kosovës në Beograd si përfaqësues të Kosovës”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.

Palët kanë deklaruar pozicione të ndryshme edhe mbi zbatimin e marrveshjes për “pikë-kalimet administrative” siç i quan Serbia, apo “kufitare” siç i konsideron kryeministri Thaci duke justifikuar përdorimin e simboleve kombëtare.

“Do të ketë edhe shenja edhe uniforma të Kosovës, të policisë dhe doganierëve të Kosovës  dhe do të jetë republika e Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Sipas deklaratës së lëshuar nga zyra e Përfaqësueses së Lartë të BEsë, Ashton, në 10 dhjetor do të nis funksionimi i Menaxhimit të Integruar në pikë-kalimet 1 dhe 3 ndërsa me 31 dhjetor pritet të nisë zbatimi edhe për pikat 5 dhe 31.

Për kryeministrin Dacic, në këto pikë-kalime nuk do të paguhet as taksë dhe as doganë për mallrat e Serbisë ndaj serbëve të Kosovës, për sa kohë nuk ka një marrveshje të detajuar se ku shkojnë të ardhurat dhe si ndahen ato. “Nëse kjo nuk respektohet,” kryeministri serb kërcënon se “do të pezullojë zbatimin e marrveshjes për menaxhimin e integruar të pikë-kalimeve”.

Pergatiti: ARTA TOZAJ

Vetëvendosje kritikon rezultatet

Lëvizja Vetëvendosje kritikon rezultatet e fundit të takimit në Bruksel mes kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb Iviça Daçiç si një akti që po afron autonominë e veriut.

Në një komunikatë për shtyp kjo lëvizje denoncon faktin se përkundër premtimeve të Thaçit, çështja e të pagjeturve asnjëherë nuk ka qenë temë e këtyre bisedimeve. Sipas Vetëvendosjes, Thaçi me bashkëpunëtorin e tij Daçiç kanë rënë dakord që të fillojë zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Edhe pse nuk është thënë zyrtarisht duket se marrëveshja është që mallrat që hyjnë në Kosovë të mos doganohen në kufirin verior me Serbinë por në Terminalin doganor në Mitrovicë. Ndërkohë është përmendur mundësia që serbët që jetojnë në veri të jenë të liruar nga taksa doganore.

“Kur një pjesë e territorit lirohet nga një tatim i caktuar, e në këtë rast taksa doganore, atëherë kjo pjesë e territorit merr atribute tjera prej pjesëve të tjera të territorit, merr veçantinë e vet territoriale jashtë rregullave të përgjithshme shtetërore të pjesës tjetër të vendit. Kjo është pra autonomia”, thuhet më tej në komunikatë.

Ta ndash veriun e vendit nga sistemi fiskal i Kosovës nënkupton se ua lënë strukturave atje ta përcaktojnë sistemin e vet fiskal. Duke e pasur parasysh se strukturat politike atje janë të Serbisë, kjo i bie që sistemi fiskal atje do të jetë i Serbisë. E për lvizjen vetendosje një gjë e tillë tregon se kufiri realisht po zhvendoset në lumin Ibër përfundon reagimin e saj lëvizja Vetevendosje.

Top Channel