Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka bërë të ditur se ka pasur pengesa nga misioni i Bashkimit Europian, EULEX-i për procedimin e ligjit për përgjimin e telekomunikimeve në disa pjesë që ngushtojnë hapësirën e përgjimit.

Sipas Rexhepit, në këtë ligj përcaktohet qartë se kush mund të bëjë përgjime dhe qytetarët kanë të drejtë që të mos iu cenohet privatësia.

Këtë deklaratë ministri Rexhepi e bëri në Komisionin Parlamentar për Siguri, Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së, i cili ka raportuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë.

Duke folur për sigurinë në Kosovë, Rexhepi tha se në përgjithësi është e qetë, ndërsa në pjesën veriore të Kosovës herë pas herë është e shoqëruar me tensione.

Veprimet në atë pjesë të Kosovës ndërmerren në koordinim me mekanizmat ndërkombëtare të sigurisë dhe ka parë nevojën e forcimit të kapaciteteve të Policisë së Kosovës.

Sa i përket cështjes së rindërtimit të shtëpive në zonën e thellë të lagjes Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, Rexhepi tha se do të vazhdojnë shumë shpejt.

Rexhepi ka njoftuar Komisionin Parlamentar se gjatë së martës është bllokuar puna në pikën kufitare në Jarinjë për shkak se grupe serbësh kanë dalur atje, të cilët po tentojnë të pengojnë zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit, Ahmet Isufi, kritikoi ministrin Rexhepi se Policia e Kosovës është sjellur ndryshe, ndërhyrë në protestat e Vetëvendosjes, e ndryshe kur u protestua gjatë përurimit të pjesës tjetër të Rrugës së Kombit. Për këtë, Rexhepi tha se këto janë situata të natyrave të ndryshme dhe në rastin tek autostrada kanë vlerësuar se situata mund të përkeqësohej edhe më shumë prandaj nuk kanë ndërhyrë.

Në fund të këtij raportimi, që zgjati rreth dy orë, pati edhe përplasje ndërmjet kryetarit të komisionit, Ahmet Isufi, dhe ministrit Rexhepi. Ky i fundit kërkoi që raportimet e tij të shfrytëzohen për t’u informuar qytetarët për gjendjen, e jo për ndonjë shou mediatik, ndërkaq Isufi tha se është detyrë e tij që t’i kërkohet zbatimi i ligjit. 

Top Channel