Bie ekonomia, rritet korrupsioni

06/12/2012 00:00

Në vitin 2008 Shqipëria shënoi rezultatin më të mirë në indeksin e korrupsionit që matet nga “Transparency International”. Treguesi u përmirësua nga 2.9 që ishte në vitin 2007 në 3.4 dhe vendi ngjiti 20 shkallë në renditjen botërore.

Në të njëjtën kohë rritja ekonomike shënoi nivelin më të lartë të decades, 7.5 përqind, që ishte dhe viti i fundit i artë i ekonomisë shqiptare. Që pas atij viti të dy treguesit kanë ardhur në përkeqësim, korrupsioni është rritur, ndërsa rritja ekonomike ka ardhur duke u tkurrur.

Korrupsioni nuk është faktori i vetëm që përcakton rritjen ekonomike. Në vitin 2008, bota nuk kishte hyrë ende në krizë dhe ambienti ekonomik botëror ishte më  i favorshëm.

Por ekonomistët kanë provuar se të dy treguesit, janë të lidhur fort njëri me tjetrin. Një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar vëren se korrupsioni frenon rritjen ekonomike përmes një sërë kanalesh. Sipas FMN, ai pengon investimet private, bllokon reformat, gërryen të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe keqpërdor paratë publike në projekte që shkojnë për interesat ekonomike të grupeve të caktuara.

Përfundimi nuk vlen vetëm për Shqipërinë. Grafiku i bazuar në të dhënat e Bankës Botërore dhe “Transparency International” kombinon treguesin e të ardhurave për frymë dhe korrupsionit në disa ekonomi të botës.  Përfundimi është sërish i njëjtë. Korrupsioni i lartë sjell varfëri.

Sic tregon dhe grafiku në krye të renditjes së vendeve më pak të korruptuara qëndrojnë ekonomitë më të pasura të botës si Danimarka, Norvegjia apo dhe Zvicra, ndërsa Shqipëria dhe vendet e tjera të varfëra në rajon qëndrojnë në fund të saj.

Top Channel