Plagët e shkaktuara nga neonazistët grekë

07/12/2012 11:20

Ndërsa kriza ekonomike vazhdon të thellohet në Greqi, kushtet e jetesës së emigrantëve janë bërë gjithmonë e më të vështira.

Rritja e papunësisë ka prekur drejtëpërdrejtë këtë kategori, por prej kohësh, jeta e tyre eshte veshtiresuar edhe nga sulmet e dhunshme të neonazistëve grekë të “Chrysty Avgy” (partia eksremiste e Agimit të Artë), te cilet kerkojne nje Greqi vetem per greket.

Në një reportazh të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të publikuar në “Youtube”, u dokumentuan kushtet skandaloze të jetesës së emigrantëve në fqinjin tonë jugor.

Në një prej pesazheve të reportazhit, vëmendja përqendrohej tek 32-vjeçari Hassan Mekki, sudanezi i cili u sulmua në një rrugë në Athinë, për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij.

”Isha duke ecur në rrugë, kur më rrethuan dhe më qëlluan. Humba ndienjat dhe kur u zgjova e pashë veten të mbushur me gjak. Vetëm të nesërmen kuptova se më kishin damkosur me disa kryqe në trup”, tregoi sudanezi, për sulmin që pësoi në muajin gusht.

”Nuk kam dokumentat e rregullta, ndaj nuk mund të denoncoj ngjarjen dhe as të kërkoj ndihmë. Kam frikë, nuk mund të fle natën. Mendoj se mos më ndjekin dhe më vrasin”, shtoi Mekki.

Ndikuar nga dëshpërimi popullor për shkak të krizës më të thellë ekonomike në historinë e Greqisë, partitë ekstremiste si “Agimi i Artë” janë forcuar ndjeshëm së fundmi.

Për herë të parë në historinë e kësaj partie të ekstremit të djathtë, ajo arriti të futej në Parlament gjatë zgjedhjeve të 2012-s, duke zgjedhur në total 18 deputetë.

Top Channel