“Different Trains” në Tiranë

08/12/2012 20:00

“Different Trains” është festivali i muzikës që po zhvillohet nga datat 7-10 dhjetor në Tiranë, i cili ka mbledhur katër artistë brilantë shqiptarë të njohur në skenat e botës, por për herë të parë bashkë në vendin e tyre.

Janë violinistët Klajdi Sahatçi, që interpreton pas 20 vitesh në Shqipëri, Tedi Papavrami, Dorian Xhoxhi dhe violinçelisti Vlorent Xhafaj.

Pjesë e kësaj maratone të muzikës klasike, saktësisht muzikë dhome, janë edhe tre instrumentistë të tjerë të talentuar të huaj: Joaquin Garcia, Francois Frederic Guy dhe Andrea Rebaudengo.

“Nuk mund të thuash që është një dëshirë, por një ndjenjë. Ne duam që thjesht që të dëgjohet, pasi esenca e muzikës klasike është koncerti”, tha Papavrami në një konferencë për shtyp.

Ndërsa violinisti Sahatçiu e vuri theksin tek mungesa e mundësive për të bërë sa më shumë koncerte në Shqipëri. Ndërsa Xhoxhi vlerësoi rëndësinë e luajtjes së muzikës së dhomës në vendin tonë.

“Në Shqipëri muzika e dhomës nuk luhet aq shumë. Për mendimin tim kjo duhet bërë pa tjetër sepse janë kryevepra të muzikës botërore dhe për ne si muzikantë kjo është kulmi”, tha ai.

Pas koncertit të parë që u zhvillua mbrëmjen e së premtes në Universitetin e Arteve, të tjerët janë në datë 9 në TKOB, ku mund të gjehen dhe biletat dhe në datë 10 sërish në Universitetitn e Arteve.

Festivalin dëshirojnë ta kthejnë në traditë këta artistë shqiptarë, të cilët bota i vlerëson maksimalisht për gjenialitetin muzikor, ndërkohë që në mënyrë paradoksale institucionet e vendit të tyre janë treguar indiferentë ndaj kësaj nisme fisnike që instrumentistët e bënë për publikun shqiptar.

Top Channel