Chavez: Kanceri është rikthyer, luftoj me vdekjen!

09/12/2012 00:00

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, në një deklaratë emocionale për popullin e tij, njoftoi se kanceri i është rikthyer dhe për herë të parë, la të kuptohej se këtë herë, ai mund të jetë i pakurueshëm.

58-vjeçari, i cili prej dy vitesh është duke u kuruar në Kubë për një tumor, detajet e të cilit nuk janë bërë asnjëherë publike për mediat, u rizgjodh për gjashtë vite të reja në drejtim të shtetit latin në muajin tetor, gjatë një fushate në të cilën ai pretendoi se ishte shëruar tërësisht nga sëmundja dhe në të cilën u shfaq energjik dhe elokuent në shumë manifestime elektorale.

Megjithatë, duke iu adresuar kombit në televizionin publik, ditën e dielë, Chavez foli për herë të parë për “trashëgimtarin” e pushtetit të tij.

”Gjatë vizitës sime të fundit në Kubë, për fat të keq, mjekët gjetën disa qeliza malinje në të njëjtën vend ku ka qenë më parë tumori. Fatkeqësisht, është absolutisht e domosdoshme që të rikthehem, për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve të mëtejshme kirurgjikale. Me ndihmën e Zotit, ashtu si në rastet e mëparshme, shpresoj që të fitoj edhe këtë betejë”, deklaroi Chavez.

”Është e qartë që ekzistojnë rreziqe, asgjë nuk është e sigurt dhe këtë nuk mund ta mohoj”, shtoi presidenti. “Megjithatë, nëse shëndeti im nuk do të përmirësohet dhe nuk do të jem në gjendje të vazhdoj detyrën time, zgjedhje të reja do të mbahen dhe ju bëj thirrje të votoni për Nicolas Maduro, zëvendëspresidentin tim. Ai është një revolucionar i vërtetë, një njeri me shumë përvojë pavarësisht moshës së tij të re, me një dedikim dhe përkushtim të rrallë për punën, prandaj kam besim që do të jetë njeriu i duhur për Venezuelën”.

Chavez, një ish-ushtarak, drejton shtetin e Amerikës së Jugut me 30 milionë banorë që prej vitit 1998. Gjatë drejtimit të tij, ai është dalluar për një sërë reformash sociale dhe rishpërndarjen e pasurisë, duke ndikuar në rritjen e mirëqënies për klasat më të varfëra të shoqërisë, por nëpërmjet retorikës së tij nacionaliste dhe anti-globaliste, është identifikuar si një prej kundërshtarëve kryesorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë.

Top Channel