Ka nisur të zbatohet mëngjesin e së hënës marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për Menaxhimin e Integruar të Kufijve në pikat e Merdarës dhe Jarinjës.

Sipas raportimeve të “RTK”, që citon zëdhënësen e EULEX-it Irina Gudeljeviç, situata paraqitet normale dhe zbatimi i marrëveshjes deri tani ka rezultuar funksional.

“Këtë mëngjes isha në Jarinjë, ndërsa tani jam në Merdarë. Situata është normale, çdo gjë po funksionon dhe dua të theksoj se kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve të të dy palëve”, ka deklaruar Gudeljeviç.

Edhe autoritetet doganore kanë deklaruar se zbatimi i marrëveshjes ka nisur pa probleme dhe kanë nënvizuar se, nuk ka ndryshime përsa i përket çështjes së taksave, të cilat do të mblidhen njësoj si në të gjitha pikat kufitare.

Ndërkohë, këshilltari i ministrit të Brendshëm, Fisnik Rexhepi ka bërë të ditur se në pikën kufitare të Jarinjës janë angazhuar 5 doganierë, tre prej të cilëve nga Dogana e Kosovës dhe dy nga misioni EULEX, ndërkohë që ekipet policore do të jenë multietnike.

Lidhur me zbatimin e marrëveshjes, e njohur ndryshe si IBM, krerët e institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar se ajo do të ndihmojë në luftimin e fenomeneve negative, si kontrabanda.

Ndërsa serbët e veriut, pas premtimeve të marra nga autoritetet e Beogradit, kanë ndërprerë protestat në dy pikat kufitare por kanë paralajmëruar se janë gati t’i rinisin ato nëse ngrihen dogana klasike.

Ashton përshëndet zbatimin e IBM-së

Ndërkohë, nisja e zbatimit të marrëveshjes është përshëndetur nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, e cila ka shprehur kënaqësinë e saj për këtë arritje.

“Jam shumë e kënaqur që ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kemi dy vendkalime që menaxhohen në mënyrë të përbashkët, që janë hapur sot në mëngjes, ashtu siç ishte planifikuar”, ka thënë Ashton.

Sipas raportimeve të “REL”, këtë koment ajo e bëri në Bruksel, para fillimit të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Edhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt ka përshëndetur zbatimin e paktit, duke thënë se, progresi i arritur në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës ka qenë më i madh se sa pritej.

Por tani, sipas tij, duhet parë se si do të zbatohen marrëveshjet. “Takimet po ecin më mirë nga sa pritej. Jam mjaft i inkurajuar. Por tani duhet të shohim zbatimin në terren”, ka thënë Bildt. 

Top Channel