Partitë politike në Maqedoni kanë dënuar ashpër dhunën e ushtruar nga tifozët maqedonas, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes ekipit maqedonas Teteks dhe skuadrës shqiptare Shkëndija, që u zhvillua pasditën e së dielës në Shkup.

Huliganët maqedonas kanë fyer shqiptarët dhe kanë djegur flamurin kombëtar, ndërsa pas ndeshjes kanë rrahur pa asnjë faj dy persona të moshuar dhe një vajzë 15-vjeçare, të tre me kombësi shqiptare. Partia e Ali Ahmetit, BDI, që është pjesë e pushtetit, ka bërë thirrje që autorët e incidenteve të marrin dënimin e merituar.

“Jemi thellësisht të brengosur për nivelin e urretjes, e cila duket se rrezikon të shndërrohet në sjellje të rregullt të tifozerisë etnike maqedonase. Kërkojmë dhe apelojmë tek organet e rendit, që t’i identifikojnë autorët e këtyre ngjarjeve dhe t’i sjellin ata para organeve të rendit, duke mos u nisur nga asnjë lloj qasje selektive”, tha Emira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Nga ana tjetër, opozita shqiptare në Maqedoni tha se partia e Ali Ahmetit mban pjesën më të madhe të fajit për dhunën e vazhdueshme, që po ushtrohet ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

“Politika nënshtruese e BDI-së dhe Ali Ahmetit, u mundëson maqedonasve të ushtrojnë dhunë ndaj shqiptarëve. Dje, ashtu si pardje, sikurse para një viti dhe para një muaji, shqiptarët keqtrajtohen, u montohen proçese gjyqësore, u rrënohen shtëpitë, shqiptarëve i digjet flamuri. Gjithë kjo e keqe, që u ndodh shqiptarëve, e ka vetëm një emër: BDI dhe Ali Ahmeti”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Tre personat e rrahur nga huliganët maqedonas nuk kanë pranuar të flasin para kamerave, për shkak se janë të frikësuar për sigurinë e tyre. Gjendja shëndetësore e tyre është e qëndrueshme, edhe pse në trup u vërehen shenja nga dhuna. Ditëve të fundit janë shtuar incidentet ndëretnike në Maqedoni, ndërsa raportohet për disa shqiptarë të rrahur.

Top Channel