Obama: Edhe SHBA njohin koalicionin sirian

12/12/2012 04:30

Duke folur për ABC News, Barack Obama ka thënë se koalicioni është tashmë gjithpërfshirës, reflektues dhe mjaftueshëm përfaqësues për SHBA-të, për të ndërmarrë këtë “hap të madh”.

Britania, Franca, Turqia dhe shtetet e Gjirit e kanë njohur tashmë koalicionin opozitar të Sirisë.

Aktivistët kanë thënë se rreth 40 mijë njerëz kanë ndërruar jetë gjatë më shumë se 18 muajve të fundit, nga lufta kundër presidentit Bashar al-Assad.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz i janë shmangur konfliktit në Siri, duke udhëtuar drejt vendeve fqinje, sipas agjencisë së refugjatëve të OKB-së.

Obama tha se koalicioni i ri në zhvillim ka fituar të drejtën për të përfaqësuar popullin sirian, por ka lëshuar gjithashtu edhe një notë paralajmëruese.

“Siç dihet, me njohjen e këtij koalicioni vijnë edhe përgjegjësitë”, tha Obama. “Për të qenë të sigurt se ata organizohen në mënyrë efektive, që ata janë përfaqësues të të gjitha palëve, dhe që angazhohen për një tranzicion politik, i cili respekton të drejtat e grave dhe të minoriteteve”.

Top Channel