Chavez, operacioni ndaj kancerit “me sukses”

12/12/2012 04:49

Ky ishte operacioni i katërt i presidentit të Venezuelës në lidhje me kancerin, që prej qershorit 2011.

Në fundjavë, Chavez foli për herë të parë në publik për një pasardhës të mundshëm, duke emëruar Maduro-n si kandidatin e tij të preferuar. Në një kanal televiziv, Maduro e përshkroi operacionin e presidentit si “kompleks” por edhe “tërësisht të suksesshëm”.

Presidenti i Venezuelës u rikthye të premten nga trajtimet mjekësore kundër kancerit në Kuba. Ai u largua sërish nga Caracas mëngjesin e së hënës, pasi iu dha leja nga Asambleja Kombëtare, për t’u larguar nga vendi, në mënyrë që të vazhdonte kurimin.

Sëmundja u mësua fillimisht gjatë një operacioni fillestar, për një problem në legen, në qershor 2011.

Presidenti ekuadorian, Rafael Correa, e vizitoi Chavez-in në Havana, përpara këtij operacioni, dhe që prej atëherë është rikthyer në Ekuador. Duke folur për reporterët përpara ndërhyrjes kirurgjikale, ai tha se operacioni ishte “tepër delikat”.

“Shoku dhe kolegu im, komandanti Hugo Chavez, do të kalojë kohërat më të vështira të jetës së tij”, është cituar të ketë thënë Correa.

Gjatë fundjavës, Chavez pranoi nga ana e tij seriozitetin e situatës, pasi testimet e fundit kishin kapur të tjera qeliza kancerogjene në zonën e legenit. “Ka rrezik, kush mund ta mohojë këtë?”, tha ai gjatë një deklarate në televizion, gjatë së shtunës.

Top Channel