Benitez: Duam Botërorin e Klubeve!

12/12/2012 12:45

Trajneri spanjoll i Chelsea, Rafael Benitez, ka theksuar se qëllimi kryesor i skuadrës që ai drejton është fitorja e Botërorit të Klubeve që po zhvillohet në Japoni.

Chelsea, kampioni në fuqi i Evropës, do e nisë aventurën në Tokio ditën e enjte, në gjysmëfinalen ndaj meksikanëve të Monterrey.

“Kemi ardhur këtu për të fituar”, theksoi tekniku në Yokohama gjatë konferencës për shtyp.

“Pas dy fitoreve radhazi, ekipi ka më shumë besim. Jemi munduar të ndryshojmë disa gjëra të vogla dhe jemi munduar që të jemi më kompaktë taktikisht”, shtoi ish-trajneri i Valencias, Liverpulit dhe Interit.

Rafael Benitez ka një mundësi të artë për të fituar Botërorin e Klubeve FIFA për herë të dytë në karrierë, pasi në 2010 e arriti suksesin me Interin ndaj Mazembe.

Top Channel