Një anije me cigare kontrabandë u sekuestrua mëngjesin e së mërkurës në portin Kisamos, në ishullin e Kretës. Autoritetet thanë se ngarkesa kishte dokumenta shoqëruese të falsifikuara.

Hetimet e kryera prej shërbimeve sekrete dhe krimi financiar i policisë greke çuan në sekuestrimin e një sasise prej 2600 koli cigaresh të fshehura në hambaret e anijes “Noah”, me flamur moldav.

Policia arrestoi edhe marinarët e anijes, pesë shtetas shqiptarë. Ata janë Ismail Memolla, Llazi Silo, Urim Cane, Sokol Lata dhe Petrit Prifti.

Siç raporton korrespondenti ynë në Athinë, gjykata greke vendosi t’i ndjekë personat në fjalë penalisht për akuzën e kontrabandës.

Ndonëse ende nuk është e qartë nëse sasia e cigareve ishte e destinuar për tregun grek, apo nëse anija “Noah” kishte me destinacin ndonjë port tjetër mesdhetar, autoritetet thonë se i dhanë një goditje të fortë kontrabandës së cigareve në Mesdhe.

Sipas autoriteteve, vlera e akcizës së mallit i kalonte 1 milion euro. Pak ditë më parë u sekuestruan edhe dy sasi të mëdha cigaresh në portin e Igumenicës dhe atë të Selanikut.

Top Channel