
Instituti i Statistikave publikoi të dhënat përfundimtare të
regjistrimit të popullsisë të shumëdebatuar për shkak të pyetjeve mbi
grupet etnike dhe fenë.
Sipas të dhënave përfundimtare të censusit, 98.77 për qind e popullsisë ka si gjuhë amëtare shqipen, 0.54 për qind gjuhën greke ndërsa 0.16 për qind atë maqedonase. Pyetjes mbi përkatësinë etnike 82.58 për qind i janë përgjigjur se janë shqiptarë ndërsa vetëm 0.87 për qind se janë grekë kurse asaj mbi fenë 56.70 per qind i janë përgjigjur se janë myslimanë, 10.03 për qind katolikë dhe 6.75 për qind ortodoksë. Në të dyja rastet kanë refuzuar të përgjigjen 14 % e të anketuarve.
I pranishëm në publikimin e të dhënave të censusit prej drejtueses së INSTAT, Ines Nurja ishte edhe ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo tha se këto rezultate janë përgjigjja ndaj atyre, që siç u shpreh ai, përdorën censusin për të përçarë shqiptarët.
Ashtu siç u bë e ditur edhe në publikimin e të dhënave paraprake, numri i popullsisë së Shqipërisë është 2.851.741 banorë duke shënuar një rënie prej 8 % krahasuar me vitin 2001. Sipas INSTAT, dy arsyet kryesore, përgjegjëse për rënien e numrit të popullsisë janë emigracioni dhe rënia e lindshmërisë. Rënie ka pësuar edhe numri i familjeve nga 726 895 në vitin 2001 në 722 262 në 2011. Po ashtu për herë të parë në historinë e censuseve, numri i popullsisë që jeton në zonën urbane, 53.5 % ka tejkaluar atë në zonën rurale, 46.5 %. Sipas INSTAT, numri total i personave që kanë refuzuar t’i nënshtrohen censusit është 21 839 persona ose më pak se 0.7 %.
Top Channel