SHBA, emrat e viktimave

16/12/2012 00:00

Lista me emrat e viktimave të masakrës në shkollën fillore Sandy Hook në Konektikat është bërë publike. Të gjithë fëmijët e vrarë ishin të moshës 6 dhe 7 vjeç, e sipas ekspertëve, janë qëlluar disa herë.

20 janë të miturit që humbën jetën në tragjedinë më të fundit të këtij lloji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 6 të rritur, të gjitha gra. Mes tyre është edhe drejtoresha e shkollës, Don Hoksprung. Më i vogli nga fëmijët e vrarë ishte Noah Pozner, i cili muajin e kaluar kishte mbushur 6 vjeç.

Një grua që punonte gjithashtu në këtë shkollë është personi i vetëm i qëlluar nga Adam Lanza që ariti të mbijetojë. Autoritetet ende nuk i kanë konfirmuar arsyet e gjestit ekstrem të Lanzës, por hetimi vazhdon të nxjerrë në dritë detaje të reja të incidentit. Sipas policisë, 20-vjeçari ka hyrë me dhunë në shkollë dhe nuk është lejuar nga drejtoresha, siç u tha fillimisht. Po kështu, hetuesit nuk gjetën asnjë lidhje mes nënës së tij dhe shkollës fillore, ndërsa në raportet fillestare pas ngjarjes së rëndë u tha se Nancy Lanza punonte atje si mësuese.

Qindra vetë u mblodhën dje në një kishë në qytet për të nderuar kujtimin e të vrarëve, ndërkohë që mbarë vendi është tronditur nga ngjarja. Presidenti Obama u shpreh në fjalimin e tij të përjavshëm në radio se çdo prind në Amerikë ka sot një zemër të rënduar nga dhimbja. Ai bëri thirrje për masa reale për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.

Vetë agresori përshkruhet si një i ri shumë i zgjuar, por tmerrësisht i vetmuar e me probleme. Ky është sulmi i dytë në shkollat amerikane që ka shkaktuar numër të madh viktimash. Gjatë një episodi të ngjashëm në vitin 2007 në Universitetin Teknik të Virxhinias u vranë 32 persona.

Top Channel