CEZ: Nuk i plotësojmë dot kushtet

17/12/2012 00:00

Kompania CEZ i është përgjigjur zyrtarisht Entit Rregullator të
Energjisë se nuk mund të plotësojë kushtet, që Enti i vendosi zyrtarisht
një muaj më parë si kusht për të mbajtur licencën.

Burime konfidenciale nga Enti Rregullator thanë për Top Channel se në përgjigjen zyrtare, CEZ saktëson se nuk mund të kryejë importet për shkak të gjendjes së vështirë financiare ku ndodhet, që sipas saj ka ardhur pikërisht për shkak të vendimeve penalizuese të autoriteteve shqiptare.

Sipas tyre, ambienti jo i favorshëm i biznesit dhe vendimet e Qeverisë dhe Entit Rregullator e kanë zhytur kompaninë në krizë financiare, që e bën të pamundur plotësimin e detyrimeve ligjore. CEZ përmend gjobat masive të tatimeve dhe madje në letër pretendon se edhe vendimet e gjykatave kane qenë gjithmonë kundër saj, duke e çuar kompaninë në gjendjen e një kolapsi financare.  

Pas kësaj përgjigje, Enti Rregullator do të shqyrtojë pretendimet e ngritura nga CEZ dhe brenda javës do të marrë vendimin nëse do e heq apo jo licencën. Vetë Enti nga ana e tij pretendon se argumentat e ngritura nga CEZ nuk qëndrojnë, gjithsesi burime nga brenda tij thonë se vendimi do të merret pas shqyrtimit të hollësishëm të tyre. Gjasat janë që ERE të vendos heqjen e licencës, por gjithsesi procedura do të marrë edhe një tjetër muaj kohë, çka do tyë thotë se në 20 janar të vitit të ardhshëm, monopoli i shpërndarjes së energjisë elektrike pritet t’i kthehet sërish qeverisë pas një eksperimenti të dështuar trevjecar me privatizimin.     

CEZ: Ndërprerjet jo të qëllimshme

Një ditë pas akuzave të Ministrisë së Ekonomisë se CEZ po bën kufizime të qëllimshme të energjisë ka reaguar kompania ceke. CEZ mohon kategorikisht akuzat dhe deklaron se ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ardhur tërësisht si pasojë e motit të keq, stuhive te stinës si dhe në disa raste ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet nga persona të paautorizuar.

CEZ thotë se vetëm gjatë fundjavës ka mobilizuar më tepër se 800 punonjës në terren, për të zgjidhur në mënyrë sa më të shpejtë dhe efikase cdo defekt. Sipas saj një tjetër shkak i ndërprjeve është edhe rritja e konsumit të energjisë që dëmton pajisjet. Kompania ceke thotë se vonesat e shkaktuara nga zëvendësimi i pajisjeve të djegura dhe aseteve të tjera, vijnë si pasojë e gjendjes se veshtire financiare të saj.

Ajo bën të ditur se së fundmi i Enti i ka bllokuar edhe të gjitha llogaritë bankarë derisa të shlyejë gjobën e vendosur nga ky institucion prej 430 milionë lekë. CEZ thotë se për të gjithë këtë problematikë ka vënë në dijeni edhe institucionet përkatëse, përshirë dhe Ministrinë e Ekonomisë. 

Top Channel