“Dështimi i CEZ, përgjegjëse qeveria”

19/12/2012 19:40

Në një kohë që CEZ Shpërndarje ndodhet në një krizë të thellë dhe kur CEZ dhe qeveria kanë nisur një betejë të fortë edhe ligjore, ekspertë të energjisë thonë se divorci mes dy palëve tashmë është i sigurt.

Duke u shprehur në të njëjtën linjë, ish-zëvendësministri i Energjitikës, Gjergj Bojaxhi dhe eksperti i energjisë Gjergj Simaku thonë se përgjegjësia për këtë dështim është jo vetëm e CEZ, por edhe e qeverisë.

“Një ent rregullator i fortë dhe i saktë që në fillim të këtij proçesi do të kishte pasur mundësi t’i jepte një drejtim tjetër privatizimit. ERE sot po menaxhon një problematikë që ka nisur 3-4 vjet më parë”, deklaron Bojaxhi.

“CEZ nuk ka performuar minimalen që një kompani do të bënte dhe për këtë është faji i atyre që nënshkruan dhe monitoruan kontratën. ERE sot përbëhet nga xhaketa partiake, që nuk u intereson shumë se ç’bëhet”, thotë Simaku.

Ndonëse kanë qëndrime të ndryshme sa i përket shkallës së përgjegjësive, zoti Bojaxhi dhe zoti Simaku bashkohen te fakti se faturen në fund do ta pagujanë taksapaguesit shqiptarë.

“Për sa kohë parashikon kontrata se arbitrazhi do ta zgjidhë këtë çështje, të jeni të sigurt se atë do ta fitojë kompania dhe pasojat do t’i paguajnë shqiptarët”, nënvizon Simaku. “Barrën më të madhe e ka CEZ-i me keqmenaxhimin që ka bërë”, vlerëson Bojaxhi.

Por pavarësisht kësaj, zoti Bojaxhi mendon se privatizimi i sistemit të shpërndarjes është  zgjidhja më e mirë dhe se ky proçes nuk ka qenë i nxituar tre vite më parë.

“Nuk do të thoja që privatizimi ka qenë i nxituar. Kushtet institucionale sot, krahasuar me 3-4 vjet më parë, nuk janë më të mira”, thotë Bojaxhi.

Top Channel