Senatorët USA kundër “Zero Dark Thirty”

20/12/2012 00:00

Filmi mbi gjuetinë për Osama bin Laden përmban “gabime” pasi sugjeron se
tortura shërbeu për të çuar tek zbulimi i vendndodhjes së tij.

Kështu thonë tre senatorë amerikanë, që i kanë publikuar qëndrimet e tyre ndaj “Zero Dark Thirty” në një letër dërguar presidentit të Sony Pictures Entertainment.

“Filmi i regjisores Kathryn Bigeloë përjetëson mitin se tortura është një mjet efikas. Filmi përshkruan një shumëllojshmëri praktikash kontroverse”, thuhet në letrën e tre senatorëve.

Por sipas regjisorit dhe skenaristit të “Zero Dark Thirty”, Mark Boal, asnjë metodë nuk rezultoi përgjegjëse për gjuetinë e suksesshme të kryeterroristit.

Letra është firmosur nga senatorët Dianne Feinstein, Carl Levin dhe ish-kandidati për president i Shteteve të Bashkuara, John McCain.

Përveç promovimit të torturës, ata pretendojnë se filmi tregon më shumë se ç’duhet edhe përsa u përket taktikave të shërbimeve të inteligjencës.

Treshja, të gjithë anëtarët e të cilës janë pjesë e Komitetit të Senatit për Shërbimet Sekrete, deklaron gjithashtu se kompania Sony dhe drejtuesi i saj Michael Lynton kanë detyrimin që të modifikojnë filmin.

Top Channel