Rusia “tradhëton” Sirinë

20/12/2012 15:55

Rusia deklaroi ditën e enjte se qëllimi i saj kryesor mbi Sirinë është përfundimi i këtij konflikti të përgjakshëm dhe jo mbajtja në pushtet e presidentit Bashar al-Assad.

”Ne jemi duke ndërmjetësuar një zgjidhje që do të shmangë kolapsin e të gjithë rajonit dhe një luftë civile të vazhdueshme”, deklaroi Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një konferencë televizive në Moskë.

”Qëllimi ynë nuk është sigurimi i pushtetit të al-Assadit. Rusia gjithmonë ka përkrahur bisedimet, të cilat do të sjellin zgjidhjen më të mirë për popullin sirian. Nuk është e arsyeshme që negocimet të realizohen pasi tëjetë shkatërruar më parë gjithçka”, deklaroi Putin.

Në fjalën e tij, Putin kundërshtoi edhe besimin e përhapur se Rusia ka interesa të veçantë ekonomikë dhe strategjikë tek Siria.

Lufta civile e nisur në mars 2011 i ka marrë jetën deri tani më shumë se 43 mijë sirianëve, ndërsa disa milionë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, për në zona më të sigurta larg luftimeve.

Rusia ka penguar nëpërmjet të drejtës së vetos disa përpjekje të SHBA-ve dhe aleatëve të saj perëndimorë për të ashpërsuar sanksionet ekonomike dhe politike ndaj Sirisë.

Top Channel