Për fëmijët e Spitalit të Pediatrisë, e sidomos për ata që janë të
shtruar  në pavionin e onkologjisë, çdo ditë është e mbushur me dhimbje
dhe shpresë.

Kjo është edhe arsyeja pse Qendra Art Blu, nën kujdesin e doktor Bardh Spahisë, për të tretin vit radhazi në ketë festë të Krishtlindjes, mundohen të sjellin sërish buzëqeshjen në sytë e fëmijëve të sëmurë, duke i dëfryer ata me një shfaqje të teatrit me kukulla.

“Në këto ditë festash shpresa është kryefjala dhe ajo është bashkë me përpjekjet e këtyre fëmijëve për t’u përballur me sëmundjet që kanë. Ishte bukur që bëmë të mundur të shihnim buzëqeshejen në fytyrat e këtyre fëmijëve”, tha doktor Spahia.

Fëmijët janë zbavitur duke ndjekur shfaqjen “Princesha Teutë”, realizuar nga aktorët e njohur Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari dhe Jonida Marsi, nën drejtimin e regjisorit italian Paolo Komentale.

Pjesa është përzgjedhur për tematikën e saj patriotike dhe është realizuar duke ndërthurur në të elementë të krijimtarisë popullore.

“Kësaj radhe menduam të vinim me “Princeshën Teutë”, meqë ishte edhe 100-vjetori dhe menduam që fëmijëve t’u sillnim diçka nga tradita shqiptare si kërcimet tona, veshjet, etj”, tha producentja Monika Lubonja.

Pjesë e aktivitetit festiv ka qenë edhe shpërndarja e dhuratave nga organizatorët për fëmijet e pranishëm, duke e kthyer këtë në një ditë të gëzueshme për ta, ashtu si dhe për të gjithë fëmijet kudo në botë.

Top Channel