
Kryetari i PSD, Skënder Gjinushi i bëri një përmbledhje zhvillimeve politike të vitit që lëmë pas, nga ku renditi një katalog me dështime për të cilat fajësoi qeverisjen e Sali Berishës.
“Shqipëria mbylli një vit historik, atë të të 100-vjetorit të Pavarësisë, por ky vit fatkeqësisht ishte edhe viti i krizës ekonomike, viti i dështimit të qeverisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, viti i dështimeve spektakolare, në privatizimet më madhore si nafta dhe energjia elektrike. Viti i ligjërimit të korrupsionit dhe kthimit të tij në një virtyt dhe cilësi për politikanët. Ishte viti i rënies tërësore të institucioneve të pavarura nën kontrollin e klanit qeverisës”, deklaroi Gjinushi.
Komenti i tij për refuzimin e marrjes së statusit të vendit kandidat vijoi edhe më tej. “Refuzimi i statusit të vendit kandidat për tre vjet radhazi erdhi për shkak të vjedhjes së votës, për shkak të korrupsionit rekord, për shkak të degradimit të Kuvendit, për shkak të keqpërdorimit të televizionit publik dhe administratës publike prej qeverisë, që tregojnë për çdo shqiptar normal se ka vetëm një përgjegjes për këtë dështim, që është qeveria aktuale. Kjo tregon se rrugën shqiptarëve drejt Europës ua kanë zënë të korruptuarit”, nënvizoi Gjinushi.
Nuk mungoi në bashkbisedimin e fundvitit me median edhe urimi i Skënder Gjinushit për 2013-ën. “Urimi më i mirë për vitin 2013 do të ishte një qeveri e re pa të korruptuarit e koalicionit PD-LSI. Viti 2013 do të jetë viti fitores së madhe, viti i luftës ndaj të korruptuarve, pastaj ndaj korrupsionit. Ky vit indentifikoi qartazi të majtën moderne, të majtën e sotëme me figura të shquara, me figura si ajo e Fan Nolit dhe Luigj Gurakuqit, dhe të djathtën e Sali Berishës me atë të Ahmet Zogut”, shtoi Gjinushi.
Top Channel