Kukës, përmbyset autoboti me naftë

29/12/2012 00:00

Tjetër aksident tragjik me një të vdekur në rrugën e Kombit dhe pikërisht në të njëjtin vend ku humbën jetën 3 persona 4 ditë më parë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit në Kolsh, ku një autobot me targa të Kosovës, (06 893 – AF), u përmbys me plot 40 tonë naftë dhe përfundoi në anën tjetër të autostradës. Autoboti drejtohej nga shtetasi Lutfi Topojani.

Nga hetimet paraprake mendohet se drejtuesi i mjetit, kur pa që mungonte trafikëndarësja, e cila ishte shkatërruar nga aksidenti i para 4 ditëve, mendoi të merrte kthesën e gjerë, por më vonë e kuptoi se ndodhej në korsinë e gabuar të autostradës dhe u mundua ta rikthejë sërish mjetin në korsinë e tij.

Por manovra rezultoi fatale për 42-vjeçarin, pasi autoboti u përmbys nga ngarkesa e madhe si dhe nga shpejtësia dhe rrëshqiti për afro 200 metra duke shkatërruar edhe një pjesë të trafikëndarëses dhe më pasë u përplas në faqen e malit.

Përplasja e automjetit shkaktoi vdekjen e menjëhershme të drejtuesit. Ndërkohë, në këtë pjesë të segmentit është krijuar një mjedis tepër i rrëshqitshëm për shkak të përzierjes së naftës me çimenton e thatë që ishte derdhur nga autoboti i aksidentit të parë dhe lëvizja e mjeteve në këtë korsi është e pamundur.

Në lidhje me këtë situatë policia rrugore ka bllokuar njërën korsi të autostradës duke e drejtuar lëvizjen e mjeteve në segmentin e vjetër të rrugës.

Top Channel