Pak pas orës 8.00 të mëngjesit të së hënës doganierët e policët kufitarë
të Kosovës morën udhëzimet para se të fillonin të zbatonin Marrëveshjen
për Menaxhimin e Integruar të Kufirit

Doganierëve dhe policëve kufitarë të pikës kufitare “Dheu i Bardhë”, që ndodhet në rajonin e Gjilanit, iu tha  nga zyrtarët qeveritarë të Kosovës se rregullat dhe detyrat i kanë të njëjta, sikurse deri më sot.   

Kosova ka zhvendosur për 2 kilometra e gjysmë pikën kufitare “Dheu i Bardhë” dhe është afruar me atë serbe.  
 
Pala serbe ende nuk ka kryer të gjitha përgatitjet në infrastrukturë ashtu siç ishte zotuar, por, megjithkëtë zbatimi i marrëveshjes filloi siç ishte paraparë, në ora 8 të mëngjesit të së hënës.
 
Edhe në pikë kalimin kufitar në Bërnjak të Zubin Potokut, që ndodhet në veri të Kosovës, pavarësisht situatës problematike marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit filloi të zbatohet. Në këtë pjesë, kjo gjë ka ngjallur paknaqësi, çka ka bërë që doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës janë dërguar me helikopterë në vendin e tyre të punës.
 
Rreth 20 serbë të kësaj ane kanë vendosur në Zubin Potok, rreth 20 kilometra larg pikës kufitare në Bërnjak, makina në njërën korsi të rrugës, duke kundërshtuar në këtë mënyrë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, pasi sipas tyre po vendoset kufiri me Serbinë.
 
Tashmë janë bërë katër pikë-kalime kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar të zbatohet Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Objektet, momentalisht janë të përkohshme, kurse ato të përhershme dhe të përbashkëta do të ndërtohen më vonë.
 

Top Channel