“Kolegji zëvendësoi KQZ-në”

04/01/2013 00:00

Kolegji Zgjedhor minimalisht ka shkelur ligjin. Dy ish-kryetarët e
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi dhe Kristaq Kume
arrijnë në të njëjtin gjykim ligjor për rastin e vendimit të një dite më
parë të Kolegjit Zgjedhor.

Duke iu referuar nenit të vetëm në Kodin Zgjedhor që parashikon këtë rast, atij 145 dy ish-krerët e KQZ-së thonë se mundësia e vetme e trupës së gjyqtarëve ka qenë një dhe vetëm një.

“Kolegji Zgjedhor mund të vendoste që të detyronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të merrte vendimin përkatës, por jo të shqyrtonte vetë këtë çështje, kjo nga pikëpamja formale e çështjes së diskutimeve”, tha Celibashi.

“Në rast se Kolegji Zgjedhor e pranon ankesën, nuk e shqyrton në themel këtë ankesë, por me vendim të tij urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të marrë vendim”, thotë Kume.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk mund te interpretohet ndryshe, veçse zevendesimi i KQZ-së, thone ish drejtuesit e institucionit me te larte zgjedhor, duke përbërë në rastin më të paktë krijimin e një precedenti të rrezikshëm.

“Jemi dhe përpara një fakti të tillë, një rasti të tillë që Kolegji Zgjedhor ka marrë atributet e administratës zgjedhore. Kodi Zgjedhor i ka të përcaktuara detyrat për KQZ-në dhe për nivelet e tjera të administratës zgjedhore dhe është përgjegjësi e tyre për t’i ushtruar këto funksione dhe këto detyrime dhe obligime që vijnë nga Kodi Zgjedhor, sepse përndryshe i bie që për çdo lloj problemi, për çdo lloj mosmarrje të vendimit apo të konfliktit që mundet të ketë KQZ-ja, anëtarët e tij brenda për brenda, subjektet zgjedhore të caktuara mund të shkojnë në Kolegjin Zgjedhor dhe ta zgjidhin këtë çështje. Por zgjedhjet nuk administrohen nga Kolegji Zgjedhor dhe nuk përgatiten nga Kolegji Zgjedhor, ato përgatiten dhe administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Celibashi.

“Kolegji Zgjedhor e ka kapërcyer atë çka i njeh në këtë rast, për këtë lloj ankese Kodi Zgjedhor. Ligji Zgjedhor ka të përcaktuar se cilët janë institucionet që kanë detyrën për ta administruar procesin zgjedhor, detyra i ka të marra, mbivendosje e institucioneve me njëri-tjetrin është në rastin më të thjeshtë për ta interpretuar shkelje e ligjit”, thotë Kumë.

Vendimi i pare i Kolegjit Zgjedhor që nisi me mbivendosje te KQZ-së ne shkelje te ligjit, per Celibashin është mungese profesionalizmi, ndërsa për Kumen është politik.

Por ne te dyja rastet, per dy ish-kreret e KQZ-se kjo nuk duhet te perseritet më. Por çfarë ndodh nëse KQZ-ja vijon të mbetet një institucion i bllokuar për çdo vendimmarrje që kërkon shumicë të cilësuar?

“Të shtatë anëtarët e KQZ-së duhet të kenë kapacitetin dhe përgjegjshmërinë, që për disa çështje të rëndësishme ta gjejnë konsensusin. Nuk mundet secili prej tyre të qëndrojë në llogoret e tyre politike apo edhe të bindjes së tyre ligjore. Duhet që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të gjetur konsensus, sepse askush nuk mund të mendojë që një trupë e caktuar, e cila ka përgjegjësinë për të ushtruar disa kompetenca, të mos i ushtrojë këto kompetenca”, tha Celibashi.

“E gjithë kjo sjellje, e cila është produkt i faktit që partitë politike për çdo gjë kanë rënë dakord dhe mund ta kenë ndryshuar në Kodin Zgjedhor, por vetëm një gjë nuk kanë ndryshuar, të drejtën e tyre për të qenë ata aktorët kryesorë nën administrimin e procesit zgjedhor nëpërmjet njerëzve të tyre, na bëjnë që ne të ndodhemi përballë situatave të cilat nuk janë situata që flasin në mbarësi dhe mirëadministrim të procesit zgjedhor”, tha Kume.

Top Channel