Dalipi: Deklaratat e Berishës, klienteliste

05/01/2013 00:00

Deputeti Alfred Dalipi e ka cilësuar klienteliste dhe në kundërshtim me
rregullat dhe marrëveshjet e nënshkruara në Gjeneve, deklaraten e
Kryeministrit mbi krijimin e një hapësirë shqiptare të përbashkët të
valëve televizive mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ne mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri ka theksuar se qëllimi kryesor është unifikimi i tregut të licencave për transmetim në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërkohë që përcaktimin e frekuencave nuk e bëjnë Qeveritë, por një institucion ndërkombëtar, siç është ‘International Telecomunication Union’ (ITU) dhe konventat ndërkombëtare.

“Unë theksoj që deklarata është vetëm për konsum klientelist. Them klientelist, sepse në momentin që tregu është i hapur mundësitë ligjore janë të mjaftueshme, hapësirat tregtare janë të konsiderueshme, çdo operator radio televiziv i Kosovës, mjafton të regjistrohet në Republikën e Shqipërisë në bazë të ligjit. Ligji edhe aktual nuk ka pengesa për të hapur tregun. Ajo që nuk ekziston është se frekuencat janë të ndara jo nga Shqipëria dhe jo nga vullnetet qeveritare, por janë të ndara nga ITU-ja, janë të ndara nga marrëveshjet që bëjnë palët në atë që ka marrë rolin e moderatorit dhe të menaxherit të frekuencave kombëtare për të gjithë globin, që është Gjeneva. Krijimi i një hapësire unike radio televizive është i pamundur”, tha Dalipi.

Zoti Dalipi, tha se kjo deklarate, aspak nacionaliste, lidhet me favorizimin e klienteve te caktuar dhe nuk është kërkuar aspak nga operatorët e Kosovës, të cilët kanë akses në tregun shqiptar dhe respektojne ligjin.

“Realisht mund të jenë kërkesa klienteliste për të krijuar mundësinë e marrjes së ndonjë kapaciteti teknik me aprovimin e ligjit. Ligji i ri, i cili ka përcaktuar edhe mundësi për të transmetuar pa pagesë, këtu që e ka hallin Kryeministri, sepse unë nuk besoj se një operator që do të dalë në treg, të mendojë se mund të ndërmarrë një biznes pa kosto financiare. Të gjithë duan të hyjnë në treg, duke u përballur me konkurrencën dhe jo duke ju fshehur konkurrencës. Çdo deklaratë e Kryeministrit është me ‘background’ klientelist dhe të paktën tre deklaratat e analizuara prej tij, duan të fshehin mundësinë e përballjes në mënyrë korrekte në treg”, tha Dalipi.

Ligji i ri per transmetimet me ze e figure i cili po miratohet ne komisionin e Medias, ve rregulla te qarta, dhe ka hapesira per te gjithe operatorët në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo deklarate e Kryeministrit,- tha Dalipi, -bie ne kundershtim edhe me ligjin.

“Bashkimi dhe heqja e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës vjen vetëm nëpërmjet zbatimit të këtij ligji të ri dhe futja e operatorëve në platforma të përbashkëta shqiptare, të shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Dalipi.

Me 16 janar do te zhvillohet nje tryeze e kryesuar nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe ambasadori Ettore Sequi, ku ne prani te eksperteve te Bashkimit Europian dhe atyre shqiptare do te diskutohet mbi ligjin e ri per transmetimet me ze e figure.

Top Channel