Administrata ende pa paga

09/01/2013 00:00

Viti i ri ka nisur me një surprizë të hidhur për punonjësit e
administratës, pensionistët apo gjithë kategoritë e tjera që shërbehen
nga buxheti.

Edhe pse muaji po hyn gati në dhjetëditëshin e dytë, Qeveria nuk ka filluar ende të kryejë pagesat e dhjetorit, të cilat sipas afateve duhet të kishin nisur qe në datën tre.

Për pasojë 110 mijë punonjës të administratës qëndrore dhe lokale, qindra mijë persona me aftësi të kufizuar dhe një pjesë e pensionistëve, nuk kanë marrë ende pagesat, pas shpenzimeve të kryera në festat e fundviditit.

“Ditët e para të 2013 po konfirmojnë për të gjithë shqiptarët krizën e thellë ku janë zhytur financat e shtetit shqiptar. Listës së dhjetëra mijëra personave me aftësi të kufizuar të cilët prej muajsh tanimë nuk marrin pagesën e paaftësisë, duke u braktisur në mëshirë të fatit nga qeveria, u shtohen në këtë fillimviti edhe rreth 90 000 punonjës të administratës publike, mësues, mjekë, infermierë, të cilët ende nuk kanë marrë pagat e muajit dhjetor edhe pse po i afrohemi mesit të janarit”, tha deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni.

Ndonëse vonesa ka patur edhe më parë, ky është një rast i paprecedentë. Qeveria thotë se i ka fondet dhe mohon që shkaku të jetë mungesa e parave, por sipas saj vonesat jane krejtësisht teknike e madje edhe burokratike.

“E vërteta është se nuk ka patur dhe nuk ka as edhe një mungesë të asnjë lloj fondi, në mënyrë kategorike. Ka patur një mosparaqitje të listëpagesave të zyrave të financave, por rroga pa list-pagesa nuk mund të jepet dhe ky është një ligj themelor. Ato do të bëhen dhe do t’i marrin që të gjithë dhe i kanë marrë ose do i marrin pa asnjë lloj vështirësie”, tha Berisha.

Burime për Top Channel thonë se Ministria e Financave ende nuk ka mbyllur planet buxhetore, një hap i domosdoshëm që të nis lëvrimi i pagave. Kjo do të thotë se shpërndarja e tyre mund të vonohet edhe më shumë duke rrezikuar madje javën tjetër.

Ministria e Financave, ashtu si gjithë administrata ishte pushim në datën 1 dhe dy janar. Pasi u rikthyen në punë në datën tre dhe katër, administrata qëndrore mori sërish dy ditë të tjera pushime për fundjavën. Dhe ky ka qenë pikërisht një nga shkaqet e vonesave, në përpunimin e listëpagesave he planeve buxhetore duke lënë peng me qindra mijë punonjës në administratë apo dhe shtresat më në nevojë, të cilët  burimin e vetëm të të ardhurave kanë transfertat nga  buxheti.

Top Channel