Për PS-në, vajza e Kryeministrit Sali Berisha, Argita Berisha Malltezi
krahas marrjes së pagesave shumë herë më shumë se profesorët më të mirë
amerikanë, mund të renditet edhe si avokatja më e shtrenjtë në botë.

Deputeti Taulant Balla duke iu referuar një korrespondence mes zyrës së avokatisë së vajzës së kryeministrit me biznesmenin pakistanez Zafar Ansar tha se tarifat që ajo aplikon janë marramëndëse.

“Siç rezulton nga fatura që i drejtohet zotit Zafar Ansar, Argita Berisha faturon 280 mijë lekë orën e saj të punës. 280 mijë lekë, aq sa paguhet një jurist i administratës në Shqipëri në muaj, Argita Berisha paguhet në një orë. 12 milionë lekë, aq sa paguhen 20 drejtorë shkolle të gjithë bashkë në muaj, paguhet Argita Berisha në një muaj të vetëm! Ka edhe më shumë. Sipas komunikimit të ortakes së Argita Berishës me biznesmenin në fjalë, në rast të zbatimit të projektit për ndërtimin e termocentralit, kërkohet që suksesi të shpërblejë avokaten me 3% të vlerës së investimit, pra disa milionë Euro. Por pyetja jonë është: nga cili person varet licensimi i ndërtimit të termocentralit? Përgjigja është e thjeshtë. Nga Kryeministri i vendit Sali Berisha, njëkohësisht babai i avokates Argita Berisha”, tha Balla.

Në vijim të deklaratës deputeti Balla tha se Argita Berisha Malltezi meqënse thotë se pasurinë e deklaruar e ka përfituar nga mësimdhënia, botimet dhe  punimet shkencore le ti bëjë ato publike. “Ne ende nuk kemi parë ndonjë botim apo punim shkencor tuajin,- theksoi Balla,- i cili i drejtoj disa pyetje vajzës së Kryeministrit”.

“Po këto shkëmbime me investitorin e zënë ngushtë mes zyrës së babait dhe zyrës tuaj i quani punë shkencore? Tregojuni shqiptarëve sa herë e keni bërë këtë punë shkencore dhe sa njerëz me dëshirë dhe projekte investimesh në Shqipëri janë zënë ngushtë mes zyrës së babait e zyrës suaj për firmën magjike që i hap udhë investimeve në Shqipëri?  Lëreni për një moment nxjerrjen e baltës antiopozitare me çarçafë nga shtëpia dhe na thoni zonja vajzë e kryeministrit, a ka ndonjë lidhje mes të ardhurave nga kjo shkencë e trafikut të influencës dhe të ardhurave të deklaruara nga shkenca në universitet? Edhe diçka zonja vajzë e kryeministrit. Në formë këshille kjo: Bëni pak kujdes me atë zbulimin tuaj të atyre 100 milionëve, se do dilni aq bllof sa do qeshë tërë bota me ju”, theksoi Balla.

Reagon Argita Malltezi

Kalvari i pergjigjeve nga sulmi ne sulm mes socialisteve dhe femijeve te kryeministrit Berisha ka vijuar. Vajza e Kryeministrit Argita Malltezi, reagoi sërish pas deklaratave te deputetit Balla. 

“Z.Rama, si shpifes profesionist prej dy javesh, cdo dite ke trilluar per te ardhurat e mia te realizuara te gjitha nga burime transparente, te ligjshme, nga veprimtaria profesionale, mesimdhenie ne universitete publike e private, botime dhe kerkime shkencore, qera dhe trashegimi familjare, te deklaruara te gjitha ne tatime, ILDKP dhe te verifikuara prej tyre. Zinxhirit te genjeshtrave iu shtuan tani spekulimet e dy diteve te fundit, per te cilat, ju njoftoj, se sot kam depozituar padi ne gjykate. Te kujtoj z.Rama se tarifat e subjekteve private, vetem ne diktatura i caktojne qeverite; ne vende te lira ato i nenshtrohen tregut te lire. Dje ti bere akuzen qesharake per pengese te investimeve private, sot cirresh per tarifat e nje aktiviteti privat, njelloj si 7 vjet me pare bertisje per rrogen time nga organizata e OKB. Te kujtoj gjithashtu se shqiptaret e dine mire se as rroga ne OKB dhe as tarifat private, nuk jane hua 100 milioneshe pa interes dhe as pallate ne Tirane”, thuhet në reagimin e vajzës së Kryeministrit.

Ndërkohë, akuzat nuk kanë munguar as nga selia blu. “Pyetjet tona janë këto: Pse, zoti Rama, nuk lejon shpifsin e paguar të paraqitet në gjyq për të sqaruar shpifjet dhe a i bëni shantazh me dosjet e trafikut të drogës vartësit tënd? Nëse keni nevojë për këto përgjigje, ne, zoti Rama, do t’ju ndihmojmë”, deklaroi zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.  

Top Channel