Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shpalos prioritetet e qeverisë së Kosovës për vitin 2013. Në mbledhjen e parë për këtë vit, Thaçi në mënyrë indirekte paralajmëroi shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të shtetit, pasi të bëhet rishikimi i sektorit të sigurisë në qershor të këtij viti.

“Ky proçes është i planifikuar të përfundojë në qershor të këtij viti, kur presim të dalim me rekomandimet për sektorin e sigurisë, të cilat do të jenë në pajtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të një shteti të pavarur dhe sovran”, deklaroi Thaçi.

“Prandaj, theksoj edhe njëherë se ky proçes do të ketë intensitetin dhe angazhimin e lartë të të gjithë qeverisë, si dhe do të jetë në fokusin tim personal që të arrijmë progresin e parashikuar deri në qershor. Si rezultat i këtij proçesi ne gjithashtu do të hartojmë edhe Strategjinë Shtetërore të Sigurisë”, vijoi kryeministri.

Thaçi nuk e permendi fare dialogun politik me Serbinë si pjesë të punës së tij për këtë vit, apo koalicionin e mundshëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

I pyetur për temën e veriut, e cila është paralajmëruar të diskutohet në takimin e radhës Thaçi-Daçiç në Bruksel, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se zgjidhja është brenda pakos së Ahtisarit. Sipas tij, do të diskutohet vetëm heqja e strutkruave paralele.

Ndërkaq, sa i përkët ofertës ekonomike të cilën kryeministri Thaçi ka thënë se e ka prezantuar para faktorit ndërkombëtar, Kuçi tha se nuk e ka parë fare atë.

“Serbisë do t’i themi të heqë strukturat dhe të ndihmojë njerëzit atje që të kuptojnë realitetin e ri, që është pavarësia e Kosovës. Dalja nga pakoja e Ahtisarit prish balancat gjeografike”, tha Kuçi.

Numri dy i qeverisë nuk dha përgjigje konkrete nëse mallrat nga Serbia deri në 3.5 ton do të lejohen të hyjnë pa doganë nga pikat kufitare në veri edhe edhe pas datës 10 janar.

“Ka nevojë të përmirësohet ai proçes, duhet një përgatitje më e mirë e punonjësve, por në përgjithësi ai po ecën mirë. Kosova është një zonë doganore”, theksoi Kuçi.

Lidhur me koalicionin e mundshëm të AAK-së, Kuçi refuzoi të flasë nga foltorja e qeverisë duke thënë se koalicionet i bëjnë partitë politike.

Sidoqoftë, dorëzimin e postit të kryeministrit në mënyrë indirikete e mohoi vetë kryeministri Thaçi. Ai theksoi se do të jetë vetë i angazhuar maksimalisht në përmbushjen e prioriteteve për vitin 2013.

Top Channel