Lezhë, ekzekutohet 25-vjeçari

10/01/2013 00:00

Një vrasje me armë zjarri ka tronditur mëngjesin e së enjtes qytetin e Lezhës, ku viktimë ka qenë një i ri 25-vjeçar.

Autoritetet policore lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku një sherr i nisur me përplasje verbale ka degraduar në armë.

Sipas burimeve, viktima është shtetasi Martin Shtjefni, i cili ka humbur jetën në vend për shkak të plumbave që i kanë përshkuar trupin.

Ndërkohë, përmes dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes është bërë i mundur identifikimi i autorit të vrasjes, që është shpallur në kërkim.

Sherret mes të rinjve që përfundojnë në armë zjarri apo të ftohta janë kthyer në një fenomen i zakonshëm në vend, si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

Tre ditë më parë një person humbi jetën në qytetin e Beratit në një konflikt mes disa të rinjve që përfundoi me përdorimin e thikave.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Dëshmorët e Kombit” të qytetit, ku pas një zënke për motive banale me dy bashkëmoshatarë të tij, u vrarë me thikë 21-vjeçari Elidon Zotkaj.

I riu u godit disa herë me mjetin prerës në organet jetësore, çka i solli vdekjen e menjëhershme. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, arrestoi autorin e vrasjes, Erjon Myftiu.

Ndërkohë, në një sherr analog të regjistruar po të hënën në kryeqytet, solli në plagosjen e dy adoleshentëve, të cilët morën ndihmën e parë në Spitalin Ushtarak dhe janë jashtë rrezikut.

Një tjetër ngjarje e rënë e regjistruar këtë fillim viti ishte vrasja e një burri 46-vjeçar, që u masakrua me thikë nga i biri pas një grindjeje që kishte nisur mes tyre nga pija.

Top Channel