Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkuan ndihmë nga Tirana e Prishtina, por morën porosi nga Beogradi.
Ministri
i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri, Alleksandar Vuçiç ka vizituar
bazat ushtarake “Jug” në Cepotin, e cila konsiderohet të jetë një nga
bazat më të mëdha serbe, e që ndodhet në afërsi të Bujanocit, ku jetojnë
shqiptarët, por edhe pikëkalimin kufitar të Dobrosinit, një zonë dikur
të nxehtë konfliktesh.

Shqiptarëve nuk u pëlqen që jetojnë afër bazave ushtarake, por as ministrit Vuçiç me sa duket nuk i ka pëlqyer dhe e konsideron gabim që liderët e tyre kanë kërkuar ndihmë nga Prishtina e Tirana.

“E respektojmë qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, por ata konsiderojnë se kjo është një çështje e brendshme e Serbisë. Ne kemi pritur të shohim a do të ketë reagime racionale, por më pas ata kanë kërkuar ndihmën e Shqipërisë dhe siç thonë të Kosovës. Këto nuk janë porosi të mira dhe racionale, ne për dallim nga të tjerët nuk jemi duke e kërcënuar askënd”, tha Vuçiç.

Në zonë është kryer demonstrimi i forcës së mbrojtjes, në rast se patrullat ushtarake sulmohen.

Qëllimi zyrtar i vizitës së Vuçiç ka qenë njoftimi me gjendjen e sigurisë. Është munduar të mos përdorë fjalë të rënda, por njëri nga personat kryesorë të qeverisë, ka theksuar se askush nuk mund të sillet jashtë ligjit dhe të mbrohet pas përkatësisë etnike. Ka thënë se masat do të merren për lapidarin e Preshevës dhe askush nuk mund të luaj me shtetin.

“Shqiptarët kanë kërkuar ndërkombëtarizimin e problemit, por mendoj se nuk është gjithçka në anën e tyre sikurse në vitin 2001-2002. Ata nuk janë të rrezikuar. Ekzistojnë disa koka të nxehta të cilat mendojnë se si politikan duhet t’i çojnë kërcënime shtetit. Mendojmë se këto janë fraza politike, por jemi tërësisht të gatshëm të mbrojmë rendin kushtetues të Serbisë”, tha Vuçiç.

Komandanti i brigadës së katërt, Millosav Simovic, e ka njoftuar delegacionin se përveç, siç ka thënë, sulmeve sporadike, kërcënimi më i madh për sigurinë është trafikimi me njerëz dhe me kafshë, por edhe prerja e malit. Por, Serbia në këtë formë duket e sigurt dhe e gatshme.

Top Channel