Gjergj Ndreca kërkon azil politik në Suedi

16/01/2013 00:00

Gjergj Ndreca, një nga nismëtarët e grevës së urisë për marrjen sa më
shpejt të dëmshpërblimeve të premtuara nga qeveria, është larguar në
mënyrë të befasishme nga Shqipëria.

Ai ka udhëtuar drejt Suedisë në ditët e para të janarit 2013, së bashku me bashkëshorten, dy vajzat dhe djalin e vogël. Mësohet se familja Ndreca ka kërkuar azil politik me pretendimin se në Shqipëri ndihej i kërcënuar nga qeveria.

Në daljet e tij publike, Gjergj Ndreca kishte deklaruar se persona të paidentifikuar e kërcënonin nëpërmjet telefonit dhe e përndiqnin në forma nga më të ndryshme. Në një situatë të tillë, ka vendosur që të largohet nga Shqipëria drejt Suedisë, për t’u garantuar familjarëve siguri për jetën.

Pavarësisht kërcënimeve, Ndreca këmbëngulte se do të vazhdonte luftën ndaj qeverisë, deri në marrjen e dëmshpërblimeve për vitet e burgut, që kishte kryer në vitet e diktaturës. Largimi i tij nga Shqipëria ka qenë i befasishëm për bashkëvuajtësit e grevës së urisë, të organizuar nga vetë Ndreca. Ata thonë se janë njoftuar vetëm pasditen e së martës dhe nuk kanë asnjë njoftim për vendndodhjen e tij. Dinë vetëm që ai është larguar nga vendi së bashku me familjen. Janë të mërzitur me faktin që zëri më i fortë i të përndjekurve politikë, i ka braktisur, por pavarësisht kësaj ata e mbështesin vendimin e Ndrecës, për situatën me të cilën po përballen. Hera e fundit që Ndreca ka kontaktuar me ish të përndjekurit e tjerë politikë, ka qenë më 29 dhjetor të vitit të kaluar, në shtëpinë e Perikli Shqevit. Ata janë mbledhur aty, për të përkujtuar vdekjen e Shpëtim Karamuçës, ish i përndjekur politik.

“Jemi takuar në fund të dhjetorit, për Shpëtim Karamuçën, i cili mbushi të 7-at e vdekjes. Nuk na tha asgjë, për ikjen nga Shqipëria. Edhe atë ditë kemi folur për planet tona sulmuese ndaj zyrtarëve të lartë. Na mbështeti. Jemi habitur të gjithë për largimin e Gjergjit në mënyrë kaq befasuese. Nuk ka faj, sepse është ndier i kërcënuar nga qeveria. Të gjithë po përndiqemi dhe besoj se edhe ne do të kemi të njëjtin fat”, shprehet Skënder Tufa. Ndërsa ish të përndjekurit e tjerë politikë, thonë se kanë tentuar disa herë që të lidhen në telefon me Ndrecën, por ai dilte i fikur. Nën një situatë të tillë, i kanë shkuar në shtëpi, për të kuptuar arsyen e ndërprerjes së kontakteve me shokët. Fqinjët i kanë thënë se ai ishte larguar së bashku me familjen, pa dhënë asnjë shpjegim se ku do të shkonte. Gjithsesi, ata i urojnë fat, mikut të tyre, i cili në emër të kauzës, tentoi të vetëflijohej.

Gjergj Ndreca është njohur për guximin e tij të tepruar. Për vite të tëra, ka kërkuar nga qeveria marrjen e dëmshpërblimit, por mungesa e zbatimit të ligjit, e ktheu atë në një makth për zyrtarët e lartë. Nuk ka ngurruar që të dhunojë fizikisht edhe deputetë të Partisë Demokratike, apo të protestojë në statujën e kalit të Skënderbeut, në qendër të Tiranës. Për asnjë moment nuk e ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Më 22 shtator të vitit të kaluar, bëhet organizatori i grevës së urisë, të klasës së të përndjekurve politikë, e cila zgjati 31 ditë. Miku më i mirë i Ndrecës, Lirak Bejko, u vetëflijua duke u djegur me benzinë. Indiferenca e qeverisë, bëri që më 8 tetor të lyhej me benzinë para tendës së grevës së urisë, për t’u vetëdjegur. Ndonëse është ndaluar nga policia, miku i tij ish-i përndjekuri Perikli Shqevi ndezi çakmakun, duke i shkaktuar djegie në 40% të trupit. Pas kurimit jashtë vendit, gjendja e Ndrecës u përmirësua dhe tashmë ai është larguar drejt Suedisë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel