PS: Argita “bekon” investitorët

16/01/2013 00:00

Një ditë pas denoncimit publik të biznesmenit Zafar Ansar, përmes një
interviste në Top Channel, opozita deklaroi se të gjithë shqiptarët panë
e dëgjuan se deri ku ka arritur abuzimi i familjes së Kryeministrit.

Deputeti Eduard Shalsi deklaroi se kjo tregoi se si sipermarresit e huaj duhet te bekohen me pagese tek vajza e Kryeministrit qe te marrin lejen e investimeve.

“Jemi njohur edhe më parë me rastin biznesmenit Zafar Ansar, nëpërmjet korrespondencës që ai kishte vënë në dispozicion një mediaje kurajoze në Shqipëri. Por dje, patëm të gjithë mundësinë të dëgjonim denoncimin e tij publik.Për herë të parë nga goja e këtij biznesmeni dëgjuam atë që u tha shqiptarëve, të vërtetën e bllokimit të 100 milionë eurove investimi në Shqipëri. Një biznesmen pati kurajon të denonconte, ndërsa ne nuk e dime se sa janë të tjerët që nuk kanë një kurajo të tillë ta bëjnë. Eshtë bërë e qartë tashmë për të gjithë se që të investosh në Shqipëri, duhet të kontaktosh Kryeministrin fillimisht dhe pasi të dalësh nga dera e tij të hysh tek porta e së bijës, e cila do të vendosë nëse je një biznesmen, apo një biznes që meriton të marrësh licensë apo jo. Në fakt nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar apo me një rastësi të hidhur. Eshtë një histori e përsëritur dhe madje shpesh. Cfarë do të bëjë prokuroria? Eshtë një pyetje që cdo shqiptar e bën sot, pasi është njohur me këtë mekanizëm korrupsioni. I takon këtij organi të provojë dhe të rikthejë besimin tek shqiptarët, tek qytetarët se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin”, tha Shalsi.

Malltezi: Zotëria nuk ka paguar as dhe një qindarkë

Argita Malltezi, vajza e kryeministrit Berisha ka reaguar pas dëshmisë e biznesmenit Zafar Ansar dhe akuzave të Partisë Socialiste në lidhje me pasurinë e saj.

Në një deklaratë për mediat, Argita Malltezi ka shpjeguar lidhjet me Ansar.

“Biznesmeni në fjalë 6 vjet më parë më ka kontaktuar mua, dhe jo anasjelltas, dhe më ka kërkuar përshkrim ligjor dhe ndihmë në fazën fillestare të hartimit të projektit dhe studimeve të tjera që duheshin për këtë fazë. Çdo veprim i zyrës sime të avokatisë ka qenë tërësisht privat dhe nuk ka pasur të bëjë me ndërtim pallati prej 5 katësh në lulishten e sheshit të pallateve, me leje të firmosura nga ju në konflikt të hapur interesi për bashkëshorten tuaj. Për të gjitha veprimet e zyrës sime të avokatisë, zotëria në fjalë nuk ka paguar as dhe një qindarkë, ndonëse ai ishte njohur paraprakisht me transparencë të plotë me tarifat e zyrës”, thuhet në reagimin e Argita Malltezit.

Vajza e Kryeministit i ka drejtuar disa pyetje kreut të opozitës Edi Rama përmes të cilave i kërkon bërjen transparente të origjinës së 100 milionë lekëve të deklaruar nga bashkëshortja Linda Basha dhe nëse ka patur konflikt interesi kur ka firmosur lejen e ndertimit per pallatin 5-katesh te bashkeshortes dhe familjes se saj ne Rr “Qamil Guranjaku”.

Braçe: Vajzë e babit, mos gënje!

Pavarësisht kësaj përgjigje nga Argita Malltezi, deputeti Erjon Braçe nëpërmjet një mesazhi në Facebook thotë:
“Vajzë e babit mos gënje! Janë mail-at aty, e zeza mbi të bardhë. Eshtë ambasadori i babit që e ka kontaktuar biznesmenin; eshte babi që e ka kontaktuar biznesmenin, madje i ka shprehur shpresën që ai të bashkëpunojë me njerëzit e duhur në Shqipëri. Eshtë ambasadori i babit që i ka sugjeruar zyrën tënde dhe ty personalisht për të punuar në Shqipëri. Je ti që i ke faturuar orë pune me cmime si askush në këtë vend; je ti që i ke kërkuar 3 për qind ‘tarifë suksesi’ për firmën e babit. Je ti që i ke kërkuar të blejë tokë që e disponoje ti dhe me cmime që s’i ka kërkush në këtë vend! Kjo është e vërteta. 3 për qind e 100 milionë eurove bën 3 milionë euro”.

Reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë

Duke marrë shkak nga deklarimet e Zafar Ansar, nëpërmjet një deklarate reagoi edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Ajo thotë se opionini publik duhet sqaruar se si funksionon një mardhënie avokat-klient në  realizimimin e dhënies së ndihmes ligjore juridike.

“Ne te gjitha mardheniet qe lidhen me shperblimin e ndihmes ligjore te dhene nga avokati, ne çdo rast dhe kurdohere prevalon marreveshja e bere midis klientit dhe avokatit, marreveshje e cila nuk njeh kufizime ne lidhje me tarifat e sherbimit dhe eshte vetem shprehje vullneti midis paleve, klient-avokat” thekson deklarata e Dhomës Kombëtare te Avokatisë.
 

Top Channel