Vrasja e Sakos, pyetet e veja e Elton Deliut

26/01/2013 00:00

Vrasja e Admirim Sakos mbrëmjen e 22 janarit në Tiranë po hetohet në dy
pista, larje hesapesh për trafikun e drogës dhe konfliktet për
administrimin e pasurisë së Elton Deliut.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën “Shqip”, se midis personave që kanë dëshmuar për këtë çështje është edhe Ada Musaraj, e veja e Deliut, i cili është vrarë në vitin 2008, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. “Ada Musaraj është marrë në pyetje nga sektori i Krimeve të Rënda. Ajo është pyetur për kontaktet dhe bashkëpunimin që ka pasur me viktimën. U është përmbajtur deklarimeve të mëparshme, ku është marrë në pyetje pas fillimit të hetimit për pastrim parash”, thanë burimet zyrtare nga Policia e Tiranës, duke mos komentuar shumë mbi deklarimet e saj, pasi çështja është komplekse dhe delikate, për aq kohë sa ngjarja në fjalë nuk ka një të ndaluar apo të arrestuar. Megjithatë, burimet konfidenciale nga policia, pohojnë se Musaraj ka shpjeguar në mënyrë kronologjike kontaktet me Admirim Sakon.

Dëshmia e të vesë

Nëna e vajzës së Elton Deliut është pyetur për kontaktet që ka pasur me Admirim Sakon, pasi të dy rezultojnë si persona nën hetim për pastrim parash. “Dëshmitarja ka pohuar se, pas vrasjes së Eltonit në muajin dhjetor të vitit 2008, ka nisur bashkëpunimin për administrimin e disa pronave me Admirim Sakon. Duke qenë se ky i fundit ka qenë shoferi personal i Eltonit, madje edhe miku i tij më i mirë, ajo e ka caktuar si administrator të disa pronave, kryesisht lokale në kryeqytet. Fitimet ndaheshin bashkërisht”, pohojnë burimet policore, të cilat shtojnë se ajo është pyetur edhe për konfliktet për këto prona, kryesisht me njerëzit e afërt të bashkëjetuesit të saj të ndjerë. “Kam pasur konflikte për pronat, por, nisur edhe nga një vendim i gjykatës, ato më takonin mua. Vajza është trashëgimtarja e parë e Eltonit dhe, nisur edhe nga ligji, ajo trashëgon pjesën më të madhe të pasurisë. Duke qenë e mitur, unë mund t’i administroj këto pasuri”, ka thënë e veja në polici. Hetuesit e kanë pyetur edhe për ndonjë konflikt apo kërcënim gjatë kësaj kohe, ndërsa ka pohuar se ka debatuar disa herë me familjarët e Deliut, të cilët janë të largët për sa i përket trashëgimisë. Para policisë ka shpjeguar edhe kontaktet dhe administrimin e pasurisë së bashku me Admirim Sakon dhe nëse të dy kanë pasur ndonjë kërcënim me jetë, ndërsa ka dhënë pak detaje me vlerë për hetuesit për vrasjen e datës 22 janar.

Hetimet për pasurinë

Grupi hetimor i Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, i ngritur për vrasjen e Sakos, ka dyshime se autori mund të jetë vrasës me pagesë dhe pas tij mund të qëndrojnë disa urdhërues. Lëvizjet e tij kanë qenë të një profesionisti, pasi ka të dhëna se ai e ka studiuar më parë zonën. Ndërkohë, në lidhje me motivet, burimet pohojnë se familjarët e Elton Deliut kanë denoncuar disa herë në polici Admirim Sakon, si personi që ka gisht për eliminimin e dyfishtë. “Disa të afërm të Elton Deliut kanë denoncuar në disa raste Sakon, si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Elton dhe Flutura Deliut. Ata kanë ardhur disa herë në polici, duke u munduar që të japin të dhëna dhe prova se 40-vjeçari ka lidhje me ngjarjen e 27 dhjetorit të vitit 2008. Megjithatë, pas veprimeve të para hetimore, nuk kemi gjetur ndonjë të dhënë se Sako mund të ketë qenë një nga autorët e dyshuar. Nisur nga këto të dhëna, kemi dyshime se vrasja e tij mund të jetë urdhëruar nga persona me të cilët kishte disa konflikte pronësie”, pohojnë burimet nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, kjo është një nga pistat hetimore, ku do të verifikohet gjithsecila për të mundësuar zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje. Gjithsesi, në një prononcim për gazetën, Nuro Sako, babai i Admirimit, tha se djali i tij nuk është vrasësi i Elton Deliut. Sipas tij, ata kanë qenë shokë shumë të ngushtë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel