Në Prishtinë ka zhvilluar punimet e ditës së parë Kongresi i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili do të zgjedhë kryetarin e ri të këtij subjekti politik, që sipas gjasave do të jetë kryeministri Hashim Thaçi.

Në fjalën e hapjes, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi ka falenderuar bashkëpunëtorët e partisë dhe ka prezantuar prioritetet e saj, duke e vënë theksin tek interesat e qytetarëve.

“Falenderoj të gjithë ata që për 30 vjet mbajnë gjallë PDK-në. Qëllimi primar i PDK-së është jeta e qytetarit të Kosovës. Së bashku do zgjedhim ata që më së miri përfaqësojnë interesat e qytetarëve”, ka deklaruar Kuçi.

Të pranishëm në Kongres janë edhe deputetë Partisë Demokratike të Shqipërisë, si dhe kryetari i PS, Edi Rama e ai i LSI, Ilir Meta. Në fjalën e tij Meta ka shprehur besimin se përgjegjshmëria e PDK-së do vazhdojë të kontribuojë për stabilitetin e Kosovës dhe progresin e saj.

“Ishin themeluesit e PDK-së ata që morën pjesë në luftën e çlirimit të Kosovës. Janë po ata që sot kanë marrë përsipër përgjegjësitë dhe kanë ditur të drejtojnë proçese të brendshme në Kosovë dhe të tjera në rajon”, ka thënë Meta.

“Besoj se marrja e këtyre përgjegjësive kërkon një mbështetje të gjerë. Kjo është një përgjegjësi në emër të së ardhmes dhe kam besim se lidershipi i PDK-së do t’i çojë deri në fund ato”, ka vijuar ai.

Ndërsa Partia Demokratike është përfaqësuar nga deputeti i saj Gerti Bogdani, i cili ka rikonfirmuar bashkëpunimin e ngushtë mes Tiranës dhe Prishtinës, si dhe ka vlerësuar lidershipin e PDK-së në drejtimin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

Më tej fjalën e ka marrë kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, i cili ka vlerësuar me nota pozitive evoluimin e PDK-së ndër vite, si dhe ka shprehur besimin se liderët e saj do të dinë të qeverisin më së miri qytetarët e Kosovës.

Ndërkohë, mbështetjen e tyre për PDK-në e kanë shprehur edhe partitë shqiptare nga Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat përmes përfaqësuesve të tyre kanë konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit.

Në fund fjala i ka takuar kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, i cili e ka nisur fjalimin e tij duke kujtuar luftën e UÇK-së dhe të rënët nga radhët e saj.

“I dashur Hashim dhe miq të PDK-së, ky është një moment i rëndësishëm. Në momente të tilla është e pamundur të mos kujtohet UÇK-ja dhe ata që nuk janë më fizikisht me ne, por që patën guximin për të çuar përpara një ëndërr pa të cilën ne sot nuk do ta kishim Kosovën e lirë dhe shtet”, ka deklaruar Rama.

“Sot në këtë konventë ndihem shumë i privilegjuar dhe në emër të PS ju përshëndes të gjithëve. Besoj me gjithë zemër, që Thaçi dhe PDK janë në rrugën e duhur. Kosova dialogon sot me ata që dje ishin armiqtë e saj. Dialogu qëndron në forcën e atyre që dinë të ndërtojnë edhe paqen”, ka vijuar lideri i opozitës shqiptare.

Rama e ka mbyllur fjalimin e tij me atë që ai e ka cilësuar si idealin e të gjithë shqiptarëve, bashkimin si komb, që sipas tij do të realizohet përmes ëndrrës evropiane të dy vendeve.

“Ideali ynë është bashkimi i shqiptarëve si komb. Është i njëjti ideal i themeluesve të shtetit shqiptar. Ne do të bashkohemi në Evropën e bashkuar, njësoj si shqiponja me dy kokë në të njëjtin trup”, ka thënë Rama.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi, në fjalimin e tij ka bërë një reflektim që nga lufta për liri e deri tek kthimi në realitet të ëndrrës për Kosovën e lirë.

“Ëndrra jonë ishte të jemi si sot, të bashkuar. Shekullin e ndarjes po e mbyllim, për ne po fillon shekulli i ri, shekulli i rënies së perdes së hekurt, i Kosovës së re e të lirë. Kjo është epoka e rendit demokratik, lirisë dhe shpresës. Ne të gjithë bashkë e kishim një ëndërr, për lirinë dhe paqen përkrah vendeve të lira. Ne patëm guximin për të luftuar dhe fituam. Ajo që nisi si ëndërr sot është fakt, Kosova është shtet”, ka deklaruar Thaçi.

Duke premtuar se, shteti i Kosovës dhe ai personalisht do të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve edhe në Preshevë e Maqedoni, kryeministri është shprehur se bashkimi i kombit shqiptar është i pashmangshëm.

“Bashkimin e shqiptarëve e kanë vulosur heronjtë e lirisë, nga Ismail Qemali deri tek UÇK-ja dhe shqiptarët në Maqedoni e Preshevë. Bashkimi ynë do të ndodhë në Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi.

Më tej shefi i ekzekutivit kosovar ka vlerësuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga rreth 100 vende, anëtarësimin e saj në BB, FMN dhe BERZH, si dhe investimet e bëra nga qeveria e tij në infrastrukturë.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk ka marrë pjesë në kongresin e partisë të cilën e themeloi.

Kërkesa e tij për shtyrjen e kongresit deri në lirimin e Fatmir Limajt nga akuzat duket se i dha fund edhe bashkëpunimit të tij me kryesinë e PDK-së. 

Top Channel