Kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat dhe sulmet ndaj kryetarit të
Partisë Socialiste Edi Rama, duke e cilësuar si njeriun që ka bllokuar
dhe po kërkon të bllokojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin
Europian. 

Sipas tij Kushtetuta ka folur qarte dhe në raste të tilla jep mundësine e demokracisë së drejtpërdrejtë përmes referendumit.

“Vërtetë kemi të bëjmë me një akt të shëmtuar, sa vetë shëmtia e bllokimit të tre ligjeve për qëndrime kryekëput personale, por nga ana tjetër kemi Kushtetutën, e cila jep zgjidhje”, tha Berisha.

Hiqet tatimi mbi pagën

Shefi i Qeverise ne mbledhjen e grupit parlamentar, ndër të tjera ka lajmëruar edhe një masë që lehtëson barrën e taksave mbi të punësuarit me të ardhura të pakta.

“Së shpejti ju do të votoni në Parlament, ligjin për heqjen e tatim fitimit mbi të gjithë punonjësit rrogëtarë që marrë nën 30 mijë lekë. E heqim fare, zero”, tha Berisha.

Kryeministri i referohet heqjes së tatimit mbi pagat për rrogat deri në 30 mijë lekë, ndonëse e shqiptoi gabimisht tatim mbi fitimin.

Në mbledhjen e grupit kreu i Qeverisë ka ironizuar edhe tryezen e partive te opozites, çka sipas tij tregon situaten kaotike në të cilën ndodhet koalicioni kundërshtar.

“Krahas Fiqiri Xibrit qëndronin edhe dy partitë komuniste, njëra e Nexhmies, e përfaqësuar nga djali i saj dhe tjetra e Vitos. Këto janë risitë e fundit në radhët e tyre”, tha Berisha.

Duke premtuar nje proces zgjedhor te lire e te ndershem Kryeministri tha se kryesocialisti Rama, te njejten politike po ndjek edhe me procesin e ndarjes se mandateve.

Top Channel