Ansambli i Ushtrisë censuron “Xhamadani vija-vija”

29/01/2013 00:00

Ansambli i Ushtrisë shqiptare censuron këngën tashmë
mjaft popullore patriotike “Xhamadani vija-vija”, duke i hequr një nga
pjesët më emblematike të saj, pikërisht: “Sa e madhe është Shqipëria”.

Gjithçka ka ndodhur në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, në një koncert zyrtar për nder të themelimit të 100-vjetorit të ushtrisë, në sallën e Pallatit të Kongreseve. Ky fakt kaloi pa u vënë re, por gjithçka bëri bujë falë internetit, pasi videoja është shpërndarë në “YouTube”.

Në këtë video dëgjohet mjaft qartë se kori i Ansamblit të Ushtrisë e ka hequr nga kënga e kompozuar nga Zef Çoba, me tekst të Alfred Çapalikut, frazën e refrenit: “Xhamadani vija-vija, sa e madhe është Shqipëria” dhe përsërit në të gjithë refrenin tekstin “Është Kosova, është Shqipëria”.

Videoja është publikuar më 28 dhjetor të vitit 2012. Koncerti me titull “Një shekull këngë dhe marshe patriotike” është organizuar nën kujdesin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, deputetë, gjeneralë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, ushtarakë dhe punonjës të FA, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe qytetarë të kryeqytetit.

Top Channel