Tirana, më sulmuese në fazën e dytë

30/01/2013 00:00

Tirana ka prezantuar 3 blerjet e reja të merkatos së janarit, ndërkohë që Gilman Lika i ka dhënë fund thashethemeve duke firmosur sërish për 1 vit e gjysmë për kryeqytetasit bardheblu.

“Unë ndihem si në shtëpinë time tek Tirana dhe vendosa që të vazhdoj të luaj për këtë klub duke i qëndruar besnik edhe shokëve, drejtuesve të klubit dhe tifozëve që më kanë respektuar”, u shpreh mesfushori shkodran.

Ndërsa sulmuesi Herby Fortunat, theksoi para mediave: “Është ekipi më i mirë në Shqipëri e për këtë arsye vendosa të luaj për këtë klub.”

Afrimet e fundit në skuadër do ta shndërrojnë Tiranën në një skuadër sulmuese në fazën e dytë. Trajneri Tafaj deklaron se synimi kryesor është ruajtja e vendit të dytë.

“Kemi 13 ndeshje për të luajtur dhe do të kërkohet maksimumi. Besoj se faza e dytë do të jetë e suksesshme. Duam të mbajmë vendin e dytë dhe të luajmë mundësitë tona për trofeun”, deklaroi tekniku i bardhebluve.

Administrator Tagani ka theksuar se skuadra e Tiranës nuk do të vuajë problemet financiare, ashtu siç ndodhi gjatë vitit të kaluar: “Lojtarët janë paguar të gjithë edhe pse ka pasur vonesa. Nuk ka pasur probleme financiare.”

Tirana, klubi më i mirë shqiptar sipas IFFHS-së

Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS)
ka publikuar listën e 600 klubeve më të mirë europiane të periudhës
2001-2012 dhe Tirana është klubi më i mirë shqiptar.

Bardheblutë renditen në vendin e 172 duke lënë pas skuadra të kampionateve të forta europiane si Real Sociedad (Spanjë), West Ham (Angli) dhe Boavista (Portugali).

Vllaznia dhe Dinamo janë skuadrat e tjera shqiptare me renditjen më të mirë. Shkodranët renditen në vendin e 261, ndërsa “Blutë” e kryeqytetit në vendin e 313.

Partizani është në vend të tetë nga skuadrat shqiptare, 2 vende më lart se Skënderbeu, skuadra që ka dominuar futbollin shqiptar në vitet e fundit.

Përsa i përket vendeve të para, Barcelona kryeson këtë klasifikim e ndjekur nga Manchester United dhe Real Madrid.

Top Channel