Skandal korrupsioni për kryeministrin spanjoll

31/01/2013 16:10

Ndësa ekonomia spanjolle është në “rënie të lirë”, me papunësinë më të lartë në BE me mbi 26% të forcës aktive dhe një rënie prej 1,8% vetëm në tremujorin e fundit, një skandal korrupsioni po trondit mbarë opinionin publik spanjoll.

Një ditë pasi të dhënat e përkeqësuara mbi ekonominë detyruan Parlamentin Spanjoll të thërriste një seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar gjetjen e një zgjidhje për stimulimin e ekonomisë, gazeta me tirazhin më të madh në vend, e përditshmja “El Pais”, publikoi një aferë korrupsioni që përfshin deri kryeministrin Mariano Rajoy.

Sipas provave të gazetës, që publikoi një buletin faqesh të shkruara me dorë, vërtetohej me imtësi skema e përvetësimit të parave shtetërore dhe fshehjes së të ardhurave nga taksat, në dobi të disa drejtuesve të Partisë Popullore në pushtet.

”El Pais” pretendon se skema korruptive, e cila ka funskionuar për 19 vite me radhë, ndonëse nuk është ideuar nga politikanët aktualë, është shfrytëzuar prej tyre me vetëdije të plotë.

Sipas të dhënave, devijimi i fondeve publike për Partinë Popullore, në vitin 2009 bëri që Mariano Rajoy, një prej drejtuesve më të lartë të partisë në atë kohë dhe kryeministër që prej 2010-s, të ishte përfituesi kryesor.

Së bashku me të, përfitime nxorrën edhe një numër të tjerë drejtuesish të lartë partiakë.

Në reagim të këtij skandali, Partia Popullore Spanjolle përgënjeshtroi skandalin, duke mohuar çdo “llogari të fshehur” dhe këmbëngulur se të gjithë pagesat e liderve ishin të ligjshme dhe në përputhje me detyrimet tatimore.

Gjendja e rënduar ekonomike në vend ka bërë që gjithmonë e më shumë spanjollë të fajësojnë korrupsionin për problemet ekonomike.

Një sondazh i publikuar më parë gjatë janarit, tregoi se 17% e spanjollëve rendisin korrupsionin si problemin e parë kryesor për vendin, një normë pothuajse dyfish më e lartë nga perceptimi i muajit paraardhës.

Aktualisht, Spanja është duke u përballur me faktorë të shumtë që pengojnë rritjen ekonomike, midis të cilëve borxhi i lartë kombëtar, defiçiti i lartë buxhetor, masat e ashpra shtrënguese të kursimit, mungesa e konkurrencës, borxhi i lartë i sektorit privat dhe mungesa e qëndrueshmërisë në sistemin bankar.

Problemi i papunësisë është më akuti për vendin, me më shumë se pesë milionë spanjollë ose 26% e forcës aktive që është e papunë, shifër që kalon 55% për grupmoshën 18-25 vjeç.

Problemet serioze për ekonominë spanjolle kanë bërë që vendi të përballet me lëvizje gjithmonë e më të fuqishme separatiste, me krahina si Katalunja që kanë vënë në lëvizje një aksion politik për fitimin e pavarësisë nga Spanja.

Top Channel