Ankara, sulm ambasadës së SHBA

01/02/2013 00:00

Situata mbetet e tensionuar në Turqi, ku autoritetet kanë identifikuar personin që kreu sulmin ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Ankara si Ecevit Shanli, pjesëtar i një grupi terrorist të ekstremit të majtë.

Nga shpërthimi humbi jetën një roje sigurie si dhe vetë agresori, ndërsa raportohet për një apo dy të plagosur, asnjë prej të cilëve nuk është amerikan. Forca e shpërthimit e shkatërroi krejtësisht portën hyrëse të kompleksit të mbushur me roje sigurie dhe theu xhamat e ndërtesave aty pranë.

Uashingtoni paralajmëroi qytetarët amerikanë të mos vizitojnë misionet diplomatike në Turqi deri në një urdhër të dytë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara atje, Francis Ricciardone shprehu keqardhje të thellë për vdekjen e rojes dhe tha se pavarësisht episodit të dhunes, atje ndihet i sigurtë.

“Jemi të pikëlluar nga kjo humbje. Lutemi që personi i plagosur, një qytetar turk, ta marrë veten sa më shpejt. Besojmë se ka dhe të lënduar të tjerë, por kjo pritet të sqarohet. Kompleksi tani është i sigurtë, të gjithë ne këtu ndihemi të sigurtë falë reagimit të shpejtë të policisë dhe guvernatorit Vali Bey, ndiejmë se jemi mes miqsh. Edhe një herë lëvdojmë guximin e treguar nga roja jonë e sigurisë. Zemrat tona janë pranë familjes së tij”, deklaroi Ricciardone.

Ndërsa kryeministri turk Rexhep Tajip Erdoan konfirmoi se bëhej fjalë për një sulm kamikaz. “Ishte vepër e një atentatori vetëvrasës. Të gjitha këto sulme kanë në shënjestër paqen dhe mirëqënien e vendit tonë, por ne nuk do të zmbrapsemi, nuk do të dorëzohemi. Përkundrazi, do të bëhemi më të fortë”, deklaroi Erdoan.

Ministri i Brendshëm turk Muammer Guler deklaroi më herët se agresori dyshohej të ishte një militant i Frontit Revolucionar për Çlirim, grupim ky i shpallur i jashtëligjshëm.

Mendohet se sulmi mund të jetë një lloj kundërpërgjigje ndaj arrestimit të dhjetëra pjesëtarëve të tij dy javë më parë. Ambulancat dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa policia veproi shpetj për të bllokuar zonën ku ndodhen edhe disa ambasada të tjera, përfshirë atë franceze e gjermane.

Si për Turqinë, ashtu dhe për Shtetet e Bashkuara, shpërthimi ishte një akt i pastër terrorizmi. Shtatorin e vitit 2011, Ankaraja u trondit nga një seri sulmesh kamikaze për të cilat u fajësuan aktivistet kurdë.

Këto vitet e fundit, disa grupe të paligjshme, duke nisur nga separatistët kurdë, militantët majtistë apo ata islamikë, kanë ndërmarrë sulme në mbarë vendin, duke mbjellë hijen e terrorit në Turqi.

Ndërtesa e ambasadës ishte e ruajtur mirë, por Shtetet e Bashkuara kanë pasur prej kohësh në plan që për arsye sigurie, kompleksin ta zhvendosnin diku tjetër. Madje, besohet se bisedimet për gjetjen e një vendi më të përshtatshëm ishin në fazën finale.

Forcohet siguria në Tiranë

Forca të shumta policie të sektorit të rendit dhe sigurisë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë marrë masat urgjente për ruajtjen e Ambasadës Amerikane, pak minuta pasi kishte ndodhur ngjarja në Turqi.

Përveç kontigjentit të saj që ka në dispozicion, ambasada ka kërkuar, në bazë edhe të marrjes së masave, të përforcohet edhe me efektivë të policisë shqiptare. Një plan i tillë gjithmonë vihet në zbatim sa herë një ambasadë e këtij shteti sulmohet në ndonjë vend tjetër të botës.

Në planin e masave policia e kryeqytetit ka parashikuar edhe mosparkimin e asnjë automjeti në afërsi të saj, por edhe një kontroll të vazhdueshëm të automjeteve që do të përshkojnë segmentin para murit të saj rrethues.

Tirana zyrtare dënon sulmin

Tirana zyrtare ka reaguar pasditen e së premtes ndaj aktit terrorist kundër selisë së ambasadës amerikane në Ankara, duke e dënuar ashpër veprimin.

Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Jashtme shqiptare i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës, si dhe ka shprehur vazhdimin e angazhimit të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit.

“Ministria e Jashtme u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, ndërkohë që konfirmon se Shqipëria do të vazhdojë luftën kundër terrorizmit përkrah Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Edhe kryetari i Partise Socialiste, Edi Rama, komentoi sulmin mbi ambasadën amerikane në Turqi. Ai e cilësoi këtë sulm si vazhdë të një lufte të dëshperuar të forcave të errësirës kundër forcës simbol të botës demokratike.

Rama tha se, “Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet solidare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo front të kësaj lufte të vështirë, por të pashpresë për forcat e errësirës”.

Top Channel