Berisha: Albanofobia kërcënon rajonin

03/02/2013 00:00

Kryeministri shqiptar Sali Berisha, duke folur në Konferencën e 49-të të Sigurisë në Mynih, ku diskutohej për sigurinë në Europën Juglindore dhe Kaukaz ka shprehur shqetësimin e tij se qëndrimet kundër shqiptarëve në rajon janë në veprim dhe se kjo gjë po kërcënon seriozisht stabilitetin.

“Nëse ju shihni hartën e Europës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Europian, kufijtë bëhen të parëndësishëm, por e rrezikshme është idea sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njëri-tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt. Unë kam mbështetur  dhe përshëndes dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Padyshim ai ka arritur disa suksese kyçe. Por mendoj se qëndrimet e çliruara nga albanofobia dhe ecja drejt pajtimit janë vendimtare. Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Duhet ta pranojmë se janë i vetmi komb që jeton në 5 shtete. Një komb, i cili padrejtësisht  është i ndarë në 5 shtete, një komb që dëshiron të shikojë drejt një të ardhmeje të përbashkët. Por, sërish albanofobia është akoma në veprim”, deklaroi Berisha në fjalën e tij.
 
I pyetur nga një deputet gjerman se cili është mesazhi që do të përcillte kryeministri i Shqipërisë për ta, Berisha ka kërkuar veprime të shpejta. Mesazhin e tij Berisha e ilustroi me një qëndrim në 1992, se duhet të bombardoheshin bazat ushtarake në Serbi, të cilën sipas tij NATO e bëri 7 vjet më vonë. Ndoshta, tha Berisha, do kishte qenë më mirë të mos ishte vonuar.

“Sepse në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektivën e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky. Prandaj e konsideroj të domosdoshme të zbatohen marrëveshjet, të punohet për klimën e pajtimit. Duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb, i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë  ka qenë vetëm një”, shtoi kryeministri.

Kryeministri shqiptar, gjatë qëndrimit në  Mynih, zhvilloi një takim me presidenten e Kosovës Jahjaga, së cilës i vlerësoi faktin se Republika e Kosovës është shndërruar tashmë në një faktor real e të rëndësishëm të paqes e sigurisë në rajon.

Top Channel