Rreth 200 hektarë tokë bujqësore në Fushën e Maliqit po rikthehen në kënetë si pasojë e mosfunksionimit të kanaleve kulluese.

Fermerët kanë dhënë alarmin për gjendjen aktuale të tokave të tyre të cilat përgjatë 6 viteve të fundit po përmbyten në mënyrë të vazhdueshme. Për këta fermerë që ekonominë familjare e mbështesin tek të ardhurat nga kultivimi i tokës bujqësore kostoja e humbjes është shumë e lartë ndërsa pohojnë se me zor po mbijetojnë.

“Gjysma e tokës është e gjitha nën ujë. Gruri është prishur. Kemi bërë ankesa në komunë, por fondet e saj nuk mjaftojnë. Jemi në mëshirë të fatit”, shprehen fermerët.

Ndonëse komuna ka marrë masa për menaxhimin e përkohshëm të situatës, përmbytjet për këta fermerë janë kthyer në një kalvar të gjatë mundimesh që përsëriten vit pas viti në pritje të ndërhyrjes nga instancat përkatëse.

Petrit Kupe, kryetar i komunës Libonik, thekson: “Toka është përmbytur nga mungesa e kullimit. I kemi informuar institucionet përkatëse, por deri tani nuk është bërë gjë.”

Prej disa vitesh këto kanale kulluese janë në varësi të qarkut por nga ky i fundit nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo investim për zgjidhjen e situatës.

Top Channel