Eksportuesit kërkojne TVSH-në

05/02/2013 00:00

Pas kompanive të ndërtimit, mungesën e likuiditeteve po e ndjejnë edhe kompanitë eksportuese të tekstileve apo ushqimore.

Rritja e prodhimeve për eksport gjatë vitit të fundit ka rritur edhe faturën që shteti duhet t’i paguajë këtyre bizneseve si rimbursim i Tatimit mbi Vlerën Shtuar e që sipas eksportuesve shkon në rreth 150 milionë euro. Në kushtet kur ligji nuk funksionon dhe TVSH-ja nuk arrin të kthehet tek biznesi, kompanitë e eksporteve thonë se administrata nuk duhet ta marrë atë.

“Në kushtet që eksperienca ka treguar se ligji për rimbursimin e TVSH-së nuk funksionon, atëherë duhet të bëjmë TVSH-në zero në doganë, duke kaluar në sistemin e vetëdeklarimit, ku subjekti për çdo pajisje, material që blen për të bërë investim, ai bën deklaratë që këtë mall nuk e kam për rishitje, e kam për investim timin personal. Bën edhe një deklaratë në tatime, që këto mallra dhe këto pajisje futen në kapitalet themeltare apo në inventaret e kompanisë”, thotë Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve.

Duke iu referuar konkretisht vendimit të Qeverisë për të hequr TVSH-në për makineritë prodhuese si masë lehtësuese për biznesin, kompanitë e eksportit thonë se ky vullnet politik mund të zhvleftësohet për shkak të formës në të cilën është përgatitur.

“Ky vullnet politik dhe juridik mund te zhvleresohet per shkak te vendimit që pritet të dalë nga Ministria e Financave, apo edhe nga Këshilli i Ministrave, ku kjo TVSH nuk hiqet në mënyrë automatike per investimet, por do të hiqet sipas një liste makineri-pajisjesh. Nese futet nje makineri e re ne treg biznesi duhet te paguajë”, thekson Zusi.

Në kohën e një ekonomie në krizë, kompanitë që këtë vit kanë zgjeruar hartën e eksporteve me shtete të reja si Spanja, Austria apo Gjermania kërkojnë më shumë mbështetje për të rritur aktivitetin e tyre.

Top Channel