CEZ, padi ndaj Shqipërisë

07/02/2013 00:00

Kompania çeke “CEZ” ka nisur zyrtarisht procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar kundër qeverisë shqiptare, pas konfliktit që përfundoi me largimin e saj nga Shqipëria.

Përmes një deklarate zyrtare kompania bën të ditur se ka njoftuar zyrtarisht edhe qeverinë shqiptare për nisjen e aksionit ligjor.

Sipas “CEZ”-it, arsyeja e padisë është mosmbrojtja e investimit të saj në rrjetin shqiptar të shpërndarjes.  

Në deklaratë, “CEZ” pretendon se ka të drejtën e kompesimit sipas ligjeve ndërkombëtare në fuqi, duke e bazuar këtë arsyetim në marrëveshjen e përbashkët mes Republikës Çeke dhe asaj të Shqipërisë për mbështetjen dhe mbrojtjen e investimeve të përbashkëta si dhe traktatin ndërkombëtar të energjisë.

Ndonëse nuk ka bërë të ditur shumën që do të pretendojë si kompesim nga qeveria shqiptare, “CEZ” më parë ka vlerësuar se humbjet e saj nga investimi në Shqipëri arrijnë rreth 200 milionë euro.

”CEZ” thotë se situata në Shqipëri u komplikua në fillim të vitit 2012 ku për shkak të thatësirës kompania shteterore kesh u detyrua të kryente importe të larta të energjisë.

Sipas kompanisë çeke, qeveria u përpoq ta zgjidhte situatën përmes një vendimi të paprecedentë në Europë duke ja ngarkuar të gjithë koston “CEZ”-it.

”Përpos kësaj”, thotë “CEZ”, vendimi i tatimeve për ta gjobitur kompaninë me rreth 28 milionë euro dhe ai i Entit Rregullator me 3 milionë euro të tjera e përkeqësuan edhe më shumë situatën.

Në njoftim, “CEZ” përmend edhe përplasjet me policinë në nëntor kur u frenua të ndërpriste energjinë për ujësjellësat debitor.

Në fund, “CEZ” nënvizon se në 21 janar, Enti Rregullator i hoqi licensën duke emëruar në krye të kompanisë një administrator shtetëror që ka marrë të gjitha të drejtat e menaxhimit.   

Top Channel