“Albpetrol”, METE: Përse dështoi “Vetro”

09/02/2013 19:35

Qeveria bëri të ditur zyrtarisht përmes ministrit të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto se ka përfunduar negociatat me konsorciumin “Vetro Energy” dhe ka nisur bisedimet me kinezët e “Win Business” për privatizimin e “Albpetrol”.

Çfarë ka ndodhur? Grupi negociator i kontratës për shitjen e “Albpetrol” i ka dërguar ditët e fundit Këshillit të Ministrave raportin që zyrtarizon dështimin e ofertës prej 850 milionë euro.

Top Channel zotëron dhe po zbardh të plotë dokumentin e dërguar në qeveri, në të cilin grupi i negocimit e cilëson konsorciumin “Vetro” si joserioz dhe që vazhdimisht gjatë periudhës së negociatave ka mashtruar publikisht përmes deklaratave të pavërteta.

Grupi negociator thotë se përgjatë gjithë kësaj periudhe, Ministria e Ekonomisë i ka kërkuar “Vetro”-s në mënyrë të vazhdueshme të dëshmojë kapacitetin e saj financiar dhe të japë prova për ekzsitencën e financimit për nënshkrimin e kontratës.

Por, siç thuhet në raport, ndonëse përfaqësuesi i këtij konsorciumi, Methju Rozhak ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se kapaciteti financiar i “Vetro” është i padiskutueshëm, ai ka dështuar në dhënien e ndonjë prove konkrete.

“Vazhdimisht “Vetro” ka bërë deklarata të pavërteta në lidhje me qëllimin e saj për të negociuar kontratën ose për të dhënë prova të kapacitetit të saj për financimin e transaksionit”, thuhet në dokumentin e grupit negociator dërguar në qeveri.

Më tej raporti përmend dhe disa arsye joserioze për dështimin e privatizimit më të madh historik, që rezultoi një farsë. Njëra prej tyre është ajo se gjatë negociatave “Vetro” ka ngritur pretendimin se kishte formuar përshtypjen e gabuar që me anë të këtij transaksioni do blinte dhe sipërfaqen e tokës rreth çdo pusi. Në total, kjo sipërfaqe ishte 850 metra katrorë.

Por grupi negociator pretendon se qeveria e kishte bërë të qartë se toka rreth puseve nuk do të shitej para se të zhvillohej tenderi. Madje, sipas tij, vlera e kësaj toke nuk i kalon 10 milionë eurot, ndryshe nga pretendimi i “Vetro”, që e vlerësonte siperfaqen e tokës 400 milionë euro.

“Është e qartë se “Vetro” e ka ngritur argumentin e mësipërm për t’i shpëtuar pagesës së shumës së plotë për blerjen e “Albpetrol””, thotë dokumenti i Ministrisë së Ekonomisë.

Në përfundim dokumenti thotë se “Vetro” ka dështuar t’i përgjigjet në kohë ministrisë dhe si rrjedhojë konsulenti “Patton Boggs”, i njëjti konsulnet që garantoi fillimisht garancinë e konsorciumit “Vetro Energy”, tani rekomandon që Këshilli i Ministrave të shpallë dështimin e proçesit.

Top Channel ka mësuar gjithashtu se pas këtij raporti, Ministria e Ekonomisë ka përgatitur edhe projektvendimin që do dërgohet për miratim në qeveri, në të cilin shpallet dështimi i ofertës prej 850 milionë eurosh dhe autorizohet Ministria e Ekonomisë për të nisur negociatat me kompaninë e dytë, grupin kinez “Win Business”.

Por ky vendim ngre të tjera pikëpyetje ligjore që lidhen me ligjshmërinë e proçesit. Në vendimin e parë ka të përcaktuara afatet konkrete për vlefshmërinë e të gjitha ofertave dhe garancive përkatese bankare. Vlefshmëri, që sipas këtij vendimi, tashmë kanë skaduar.

Ndërkaq, i njohur të premten me deklaratat e qeverisë për ta skualifikuar oferten e “Vetro”, në një prononcim për “Reuters”, burime pranë aksionerit kryesor të kësaj kompanie, Rezart Taçi, kanë thënë se janë të suprizuar nga vendimi i qeverisë në një kohë kur ata po punonin për finalizimin e kontratës se shitjes së “Albpetrol”.

Dështimi me garancinë 85 milionë euro

Komisioni dhe “Patton Boggs” garantuan vlefshmërinë. Përgjegjësi ligjore?

Dështimi zyrtar i ofertës prej 850 milionë euro ngre dyshime të forta ligjore mbi ata që administruan proçesin, ku më kryesori është ai i garancisë 85 milionë euro. Gjatë periudhës së negociatave grupi negociator është shprehur publikisht se garancia është e sigurtë.

“Garancia është bërë në bankë, është një dokument origjinal që është verifikuar qoftë nga ministria, qoftë nga konsulenti, si një dokument i vlefshëm”, deklaroi më 28 shtatorin e vitit të kaluar Sokol Dervishaj, zv.ministër i METE.

Një argument më tepër i grupit negociator ishte se garancia është cilësuar si e vlefshme edhe nga “Patton Boggs”, firma konsulente e qeverisë shqiptare që paguhet 720 mijë dollarë në vit dhe që në rast suksesi merrte si bonus 22 milionë euro. Një përqindje miliona euro që “Patton Boggs” do ta marrë edhe nëse mbyllen me sukses negociatat me kinezet e “Win Business”.

Tre muaj më vonë, kur kishin nisur dyshimet e para mbi vlefshmërinë e garancisë, Top Channel pyeti sërish zv.ministrin e Ekonomisë nëse garancia është e sigurtë dhe përgjigja ishte po e njëjtë.

“Besoj se i jemi përgjigjur me kohë kësaj pyetjeje. Por e përsëris se verifikimi është bërë nga konsulenti dhe për rrjedhojë përgjigjia është e qartë”, tha Dervishaj.

Prej më shumë se dy muajsh Ministria e Ekonomisë ka kërkuar zyrtarisht tërheqjen e garancisë nga banka amerikane American Chartered Bank, por paratë ende nuk kanë mbërritur.

 Dokumentin që shpall dështimin zyrtar të ofertës, ndonëse përshkruan me hollësi ecurinë e negociatave dhe arsyet se pse proçesi dështoi, grupi negociator nuk e përmend në asnjë rast çështjen e garancisë prej 10 për qind të ofertës.

Ndërkaq, vetë zyrtarë të lartë të qeverisë kanë pranuar në publik se garancia është problematike dhe se çështja mund të përfundojë në gjyq. Tani që oferta ka dështuar zyrtarisht, pyetja që lind është:

Kush mban përgjegjësi për dështimin me garancinë dhe kush e mban përgjegjësinë ligjore për dëmin prej 85 milionë eurosh ndaj buxhetit dhe qytetarëve? Grupi negociator apo konsulenti “Patton Boggs”? Apo të dy bashkë?

Top Channel