Gërmimet për eshtrat greke

11/02/2013 20:00

Gërmimet për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë do të zhvillohen në 31 pika të rrethit të Korçës. Historianët përjashtojnë mundësinë që të ketë eshtra të ushtarëve grekë në qytet.

Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisin gërmimet në qytetin e Korçës, por nënkryetari i bashkisë ka pohuar se do të gërmohet vetëm në një vend brenda në qytet.

Sipas tij, njoftimi i është përcjellë bashkisë nga Ministria e Brendshme përmes prefekturës dhe kjo bashki i është përgjigjur pozitivisht kërkesës fillimisht për 3 pika koordinative, por që më tej është reduktuar në një të vetme.

“Është hartuar një marrëveshje mes dy qeverive, është ratifikuar në Parlament dhe ka edhe një vendim qeverie. Nga komunikimet që kemi pasur me MPB na janë dhënë pozicionet për vendet ku do të bëhen kërkimet dhe janë hartuar hartat”, thotë nënkryetari Sotiraq Filo.

Por nga ana tjetër historianët më të vjetër të qytetit tregojnë se Korça nuk ka përjetuar asnjë betejë ku mund të kenë rënë ushtarë grekë dhe se vendi ku do të gërmohet nuk njihet si zonë ku mund të ketë eshtra.

“Erdhën grekët këtu, por ishin në zonën e Mokrës, atje u organizua rezistenca dhe aty mund të ketë eshtra, por në Korçë s’ma ha mendja”, tregon historiani Nedai Thellimi.

Në listën e paraqitur për gërmime në rrethin e Korçës janë përcaktuar koordinatat për 18 zona në komunën e Moglicës, 3 në komunën Drenovë, ku duket se do të ketë gërmime edhe në fshatin turistik të Dardhës dhe më pak në komunat Pojan, Voskop, Pirg, Gore dhe Liqenas.

Top Channel