Deputeti socialist Erjon Braçe ka dorëzuar në prokurorinë e Tiranës, një kallëzim për ndjekje penale ndaj anëtarëvë të komisionit vlerësues të ofertave dhe konsulentit “Patton Bogs”, që administruan tenderin e dështuar për privatizimin e “Albpetrol”.

Zoti Braçe i kërkon organit të akuzës të nisë menjehërë hetimet për personat e kallëzuar, si dhe ndaj personave të tjerë akoma të paidentifikuar por të përfshirë në këtë proçes për veprën penale të mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Në dokumentin e dorëzuar në prokurori, zoti Braçe rendit në mënyrë kronologjike faktet që kanë shoqëruar privatizimin e kompanisë dhe bazën përkatëse ligjore.

“Nga analiza e fakteve të njohura publikisht krijohet bidnja se nga veprimet dhe mosveprimet e kundraligjshme të personave që kanë administruar këtë tender, i është shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik, minimumi prej 85 milionë eurosh”, shkruan deputeti socialist duke iu refreuar mospagimit të garancisë së detyrueshme 10 për qind nga “Vetro”, pasi kjo e fundit dështoi të finalizonte kontratën e “Albpetrol”.

“Nëse komisioni ka zbatuar drejt ligjin lidhur me pranimin e dokumentave të tenderit, atëherë garancia duhet të jetë e pagueshme pa asnjë kushtëzim duke filluar nga data 4 dhjetor 2012”, shkruan zoti Braçe.

Në këto rrethana, vijon ai, “thjesht moskërkimi i saj nga Ministria e Ekonomisë brenda periudhës së vlefshmërisë së ofertës përbën veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe/ose vjedhjes për shkak të detyrës. Dhe nëse kjo garanci s’ka qenë e vlefshme, atëherë komisioni i tenderit ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tender”.

Sipas zotit Braçe, as fakti që konsulenti ka dhënë garanci zyrtare për ekzistencën e garancisë nuk e përjashton komisionin e vlerësimit të ofertave nga përgjegjësia ligjore, nëse ky dokument nuk ka qenë në formën e përcaktuar nga ligji.

Nga ana tjetër, thotë zoti Braçe, çertifikimi i garancisë nga konsulenti “Patton Bogs” për të cilin sipas tij ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se është i rremë, ka ndikuar në vendimarrjen e komisionit dhe në ardhjen e pasojës së dëmit të madh ekonomik për shtetin shqiptar.

“Për sa më sipër i kërkoj prokurorisë fillimin e proçedimit penal për veprat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tender, të kryera në bashkëpunim për personat e kallëzuar si dhe fillimin e proçedimit penal ndaj personit juridik “Patton Bogs”, ose personave fizikë që veprojnë në emër dhe për llogari të tij, për kryerjen e veprës penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumentave”, përfundon deputeti socialist.

Top Channel