Mbrojtja e trashëgimisë kulturore

26/02/2013 00:00

Shkatërrimi i afreskeve të Ikonografisë shqiptare “Onufri” në kishën mesjetare të Shën e Premtes, në Valesh të Elbasanit, braktisja e burgut të Spaçit dhe shkatërrimi i mozaikut të Muzeut Kombëtar në Tiranë, kanë bërë që në Komisionin e Medias, Arsimit dhe Kulturës të thirret ministri Aldo Bumçi, për të kërkuar garanci për këto objekte dhe shumë të tjera.

Kreu i Ministrisë së Kulturës tha se ruajtja e objekteve nga kujdestarët është ndalur që prej vitit 2007, ndërkohë që është përgatitur një projekt ku mbi 50 objekte do të ruhen me sistem mbrojtje: “Kemi vendosur roje në parqet kryesore arkeologjike dhe muzetë e rëndësishëm, ndërsa momumentet e tjera nuk mund të kenë roje sepse është kosto e jashtëzakonshme. Kemi një projekt me aparatura moderne për kishat.”

Deputeti Auron Tare ka renditur një listë të gjatë të objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat janë drejt shkatërrimit ose ku po ndërhyhet në mënyrë flagrante, siç janë ndërtimet në Krujë, Berat dhe Gjirokastër: “Burgu i Spaçit, simboli i terrorit komunist në Shqipëri, është lënë në mëshirë të fatit. Nuk ka as ruajtjen më minimale. Hekurat po shkrihen nga njerëzit për skrap.”

Bumçi u përgjigj: “Në lidhje me Spaçin, ai i ka kaluar në administrim komunës së Roshit. Pas muzeut të diktaturës në Shkodër, ne tani do të merremi me Spaçin.”

Përsa i përket afreskeve të dëmtuara, ministri deklaroi se mund të rekuperohet rreth 45% e dëmit. Kur u pyet për mozaikun e Muzeut Kombëtar të Tiranës, Bumçi tha: “Ka një problem në origjinë dhe do restaurohet me anë të një projekti prej 4 milionë lekësh të reja.”

Përsa i përket Kishës së Mesopotamit, edhe pse është restauruar qëndron e mbyllur pasi rrezikon të shëmbet.

Top Channel