Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se bisedimet me
Prishtinën nuk kanë avancuar, madje përpara këtij proçesi ka probleme të
mëdha.

I cituar nga mediat serbe, Daçiç ka theksuar se problemet konsistojnë në faktin se Prishtina nuk dëshiron të pranojë asgjë dhe për këtë nuk e detyron askush.

“Nuk ka një marrëveshje pasi Prishtina nuk përkrah dhe nuk dëshiron të negociojë që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë instrumentet e pushtetit. Pra, zgjedhjet, organet dhe kompetencat ekzekutive”, ka thënë Daçiç.

Sipas tij, Prishtina nuk lëviz nga qëndrimi i saj pasi mendon se Beogradi do të pranojë gjithçka vetëm që të marrë datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësimin në BE.

“Por ne nuk duam. Sepse ne këtë nuk e bëjmë për shkak të datës, por sepse duam të zgjidhim problemin me kompromis”, ka pohuar kryeministri serb, duke shtuar se një AKS pa kompetenca është i papranueshëm.

Pak ditë më parë, në një takim ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së, Daçiç u shpreh se zgjidhja tërësore për Kosovën do të ofronte paqe në rajon, por edhe qëndrimin e serbëve në Kosovë.

Me përfaqësuesit e SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, Daçiç foli për bisedimet me Kosovën duke thënë se dialogu ka për qëllim sigurinë dhe qëndrimin e serbëve përmes zgjidhjeve afatgjata.

Por, një pjesë e opozitës serbe vlerëson se Serbia është duke e dorëzuar Kosovën në këmbim të datës së bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian.

Top Channel